Maqedoni
Studeniçan–Cvetovë, 16 milion denarë nga fondet IPA për rrugën e re
12.02.2016 16:53
Filluan punimet për ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës së re lokale në fshatin Cvetovë të Shkupit...

Rruga e re do të jetë me gjatësi prej 3.5 kilometra dhe e njëjta është premtuar qysh në vitin 2013. Shuma e përgjithshme e investimeve të kësaj rruge kap vlerën prej 16 milion denarëve, para të cilat komuna e Studeniçanit i ka siguruar vetë nga fondet IPA.
“Kam premtuar në vitin 2013 se brenda këtij mandati do të mundohemi ta fillojmë. Ky projekt është me rëndësi të veçantë, pasi që bëhet shkurtimi i rrugës për 1.4. kilometër, bëhet asfaltim i rrugës prej 3.5 kilometra dhe eliminon të gjitha vështirësitë për këtë vendbanim”- deklaroi kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki.
Banorët e Cvetovës thonë se kjo do t’ua përmirësojë jetën e tyre në këtë zonë.
“Rruga e re paraqet një moment shumë të rëndësishëm, paraqet lehtësi për jetën e përditshme të banorëve dhe paraqet mundësi të mirë për zhvillim të mëtejshëm të fshatit tonë”- tha imami i xhamisë në Cvetovë, Sulejman Bektesh.
Punimet ndërtimore priten të mbarojnë brenda këtij viti.
REXHEP QAMILI
