Maqedoni
“Titanik”, reagojnë partitë politike
12.02.2016 17:01
Pas hapjes së rastit “Titanik” nga ana e Prokurorisë Speciale, kanë reaguar partitë politike...

VMRO– DPMNE thotë se në 10 vitet e fundit e fitoi besimin nga qytetarët në bazë të projekteve dhe rezultateve, e jo me manipulime.
Nga partia e Gruevskit përkujtojnë se “VMRO votoi dhe mbështeti krijimin e Prokurorisë Speciale Publike. Fatkeqësisht, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i akuzuar në disa raste penale juridike, bëri deklarata të pamatura, ku paralajmëronte hapat e Prokurorisë Speciale, duke shkelur kështu në mënyrë drastike kredibilitetin e këtij institucioni dhe duke hedhur hije dyshimi në profesionalizmin dhe paanshmërinë e Prokurorisë Speciale”, thonë nga VMRO duke paralajmëruar se nuk do të mbështesin punën e paligjshme dhe jokushtetuese të kësaj prokurorie.
Nga LSDM, ndërkohë, kundërpërgjigjen se institucioni i pavarur Prokuroria Speciale Publike punon në përputhje me ligjet e vendit. Nga partia e Zaevit përkujtojnë se “Prokuroria Speciale është formuar si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës, të firmosur nga katër partitë dhe Janeva është zgjedhur me shumicë dërmuese në Kuvendin republikan. Secili që e ka shkelur kushtetutën dhe ligjet në Maqedoni duhet doemos të mbaj përgjegjësi”, thonë nga LSDM.
