Maqedoni
Prokuroria Publike Speciale, procedurë parahetimore për lëndën “Maxhar Telekom”
12.02.2016 18:05
Prokurorja publike speciale ka filluar procedurë parahetimore edhe për rastin “Maxhar Telekom”...

Prokurorja publike speciale ka filluar procedurë parahetimore edhe për rastin “Maxhar Telekom”, të cilin e ka kërkuar nga Prokuroria për Krim të Organizuar, ndërkaq ka përgatitur kërkesën për dorëzimin e lëndës për aferën e njohur në opinion si “Shpresa”.
Këtë e njoftoi prokurorja, Lençe Ristoska, nga ekipi i Janevës.
Ajo tha se bashkëpunimi me institucionet e tjera është i vështirë, gjë që ndikon në stërzgjatjen e procedurave parahetimore.
“Në kuadër të kësaj Prokurorie Publike, në bazë të bisedimeve të publikuara janë hapur më shumë procedura parahetuese, si dhe bëhen kontrolle dhe hetime për hapjen e procedurave të tjera parahetimore. Përkatësisht, kanë filluar procedura parahetimore për lëndën ‘Maxhar Telekom’, i cili është kërkuar nga Prokuroria për Krim të Organizuar, si dhe për aferën e njohur në opinion si ‘Shpresa’ apo në original ‘Nadezh’, për të cilën është përgatitur letër me kërkesë për dorëzim”- deklaroi prokurorja speciale, Lençe Ristovska.
Për rastin “Maxhar Telekom”, Prokuroria Publike hapi procedurë parahetimore, pasi në ShBA u publikua dëshmia e ish agjentit, Slobodan Bogoevski, i cili dëshmon për korruptimin e ish kryeministrit, Vllado Buçkovski, kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, dhe zyrtarin e lartë të kësaj partie, Musa Xhaferin.
Sa i përket rastit të dytë, përkatësisht në aferën “Shpresa” akuzohet ish kryetari i shtetit, Branko Cërvenkovski, dhe anëtarë të kabinetit të tij, për shpenzim jashtligjor të 340.000 eurove për shërbime konsulentësh të tre ekspertëve sllovenë.
Këtë rast në Prokurorinë Publike e inicioi Komisioni për Anti-korrupsion.
SHPËTIM NUREDINI
