Arabia Saudite "përshpejton" luftën kundër IS-IT

14.02.2016 13:20

Arabia Saudite ka konfirmuar se do të dërgojë avionë në bazën Incirlik të NATO-s në Turqi, për të luftuar militantët e Shtetit Islamik...

Gjenerali i Brigadës, Ahmed al-Assiri, i ka thënë televizionit Al Arabiya se vendi i tij do që të përshpejtojë luftën kundër grupit ekstremist.

Arabia Saudite ka rinisur pjesëmarrjen në sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në javët e fundit dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, ka mirëpritur rolin e saj. Të shtunën, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, është cituar të ketë thënë se vendi i tij dhe Arabia Saudite mund të nisin operacione tokësore kundër Shtetit Islamik në Siri.

Po ashtu, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite ka thënë se nëse procesi politik në Siri dështon, presidenti sirian, Bashar al-Assad, do të largohet “me forcë” nga pushteti. Arabia Saudite dhe Turqia konsiderojnë se largimi i Assadit nga pushteti është thelbësor për t’i dhënë fund luftës civile në Siri.