Botë
Prishtinë, urdhër-arrest për katër deputetët e opozitës
15.02.2016 13:50
Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër-arrest për 4 deputetët e opozitës....

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj–Bujupi do të sillen me forcë më 23 shkurt kur është caktuar seanca e dytë për shqyrtimin fillestar.
Ky vendim erdhi pasi Kurti nuk u paraqit sot në seancën gjyqësore, kurse tre deputetët e tjerë të opozitës janë larguar nga seanca 15 minuta pasi ajo nisi.
Seanca duhej të fillonte në orën 9:00. Haxhiu, Topalli dhe Kadaj–Bujupi kanë pritur deri në orën 9 e 15 minuta që në sallën e gjykimit të vijë gjyqtari dhe kur kjo nuk ka ndodhur ata janë larguar.
“Edhe herën e kaluar ne është dashur të presim një orë gjyqtarin dhe kjo është papërgjegjësi e tyre. 17 shkurti është afër, prandaj ne po largohemi sepse kemi shumë punë dhe nuk kemi kohë të presim”, ka thënë deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.
E pyetur për mungesën e kolegut të saj, Albin Kurti, ajo ka thënë se nuk e di pse ai nuk ka ardhur në seancë. Gjyqtari Kalludra nuk ka dhënë sqarim pse seanca nuk ka nisur në orën nëntë.
Kjo është seanca e dytë ndaj deputetëve të opozitës që akuzohen për rrezik të përgjithshëm dhe përdorim të armës, vepra që lidhen me gjuajtjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
