Botë

Izrael, ish-kryeministri Olmert nis vuajtjen e dënimit

15.02.2016 15:11

Ish-kryeministri izraelit, Ehud Olmert, ka nisur vuajtjen e dënimit prej 19 muaj heqje lirie, duke u bërë i pari zyrtar i këtij niveli që shkon në burg...

Olmert kishte marrë një dënim 6 vjeçar në vitin 2014, pasi ishte dënuar për marrje ryshfeti në kohën kur kishte qenë kryetar i Bashkisë së Jeruzalemit.
 
Por, ky dënim u reduktua në 18 muaj, në dhjetor, por një muaj u shtua javën e kaluar nën akuzën e pengimit të drejtësisë. 70 vjeçari i hedh poshtë të gjitha akuzat për mitmarrje. 
 
Në mars të vitit 2014, Olmert u shpall fajtor se kishte pranuar 500 mijë shekel, ose 129 mijë dollarë nga hartuesit e një projekti pronash dhe rreth 60 mijë shekel për një projekt tjetër.
 
Por, më pas Gjykata Supreme e shtetit hebre e çliroi nga akuza e parë, për 129 mijë dollarë, dhe e reduktoi dënimin në 18 muaj vetëm për akuzën e dytë.
 
Më 10 shkurt gjykata shtoi një muaj burg më shumë, pasi Olmert pranoi se ishte përpjekur të bindte ish-sekretaren e tij që të mos dëshmonte kundër tij.