Maqedoni
Situata me refugjatët, KE ndan 10 milion euro për Maqedoninë
15.02.2016 16:15
Bashkimi Evropian ndau 10 milion euro shtesë për Maqedoninë dhe 12.7 milion euro për Greqinë për menaxhim sa më të suksesshëm me krizën e refugjatëve në këto dy vende...

Komisioni Evropian informoi se këto mjete do të përmirësojnë dukshëm menaxhimin e fluksit të refugjatëve dhe të kufijve.
Përfaqësuesit e KE-së vlerësojnë se çdo pengesë të rutës migruese të refugjatëve në Ballkanin Perëndimor do të shkaktonte probleme të mëdha në të gjithë Evropën.
“KE e miratoi programin për të ndihmuar Maqedoninë me 10 milion euro shtesë, që të mund të menaxhojë me sukses krizën e refugjatëve. Qëllimi kryesor i kësaj është të përmirësojë menaxhimin dhe sistemin e monitorimit të kufijve”- deklaroi Margaritis Schinas nga KE.
Ndërkohë, nuk ka të ndalur fluksi i refugjatëve në Maqedoni. Vikendin e kaluar në kampin për pranimin e refugjatëve në Gjevgjeli kanë arritur dhjetëra refugjatë.
Burra dhe gra, prind me fëmijë në dorë, dhe fëmijë fare të vetmuar vazhduan marshutën e tyre të transitimit përmes Maqedonisë në Evropë.
“Unë arrita këtu dhe vazhdoj tranzitimin tim drejt Evropës”- tha një refugjat.
“Unë vij nga Siria dhe shkoj në Gjermani”- theksoi një refugjat.
“Unë me të gjithë familjen time mbërrita këtu prej Afganistanit dhe siç na shihni jemi shumë të lodhur, por duhet vazhduar rruga”- u shpreh një refugjat.
“Unë jam duke shkuar në Gjermani. Atje nuk më pret askush dhe nuk njoh asnjë person që mund të më ndihmojë, por duhet të gjendem disi”- deklaroi një refugjat.
Kriza e refugjatëve në Evropë filloi para një viti e gjysmë. Në Maqedoni përparësi për të kaluar dhe tranzituar tashmë kanë qytetarët nga Siria, Iraku dhe Afganistani. Edhe pse është përforcuar kontrollimi i refugjatëve, sërish në vend po vërehen refugjatë ekonomik me dokumente të falsifikuara, të cilët tentojnë të kalojnë kufirin bashkë me refugjatët hallexhi, thonë autoritetet e vendit.
“Gjatë kontrollimit të refugjatëve shpeshherë na ndodh të zbulojmë dokumente të falsifikuara të refugjatëve ose të regjistrojmë refugjatë ekonomik. Disa prej tyre i kthejmë mbrapsht, ndërsa refugjatët të cilët vijnë nga zonat e luftës dhe u mungojnë disa dokumente të indetifikimit, u lejojmë të kalojnë”- deklaroi një polic kufitar.
Sipas të dhënave të MPB-së, prej fillimit të krizës së refugjatëve e deri tani përmes Maqedonisë kanë kaluar mbi 700 mijë refugjatë.
REXHEP QAMILI
