Maqedoni

Me rastin e 15 vjetorit të luftës së UÇK-së shpaloset shqiponja gjigante në Çair

15.02.2016 17:13

Këshilli organizativ për shënimin e 15 vjetorit të fillimit të Luftës së UÇK-së për nesër ka paraparë disa aktivitete...

Këshilli organizativ për shënimin e 15 vjetorit të fillimit të Luftës së UÇK-së për nesër ka paraparë disa aktivitete, përfshi edhe shpalosjen e një shqiponje gjigante në rrethrrotullimin mes Butelit dhe Çairit, në afërsi të Gjimnazit “Zef Lush Marku”.
 
“Më lejoni të shfrytëzoj rastin që përmes kësaj konference t’i ftoj të gjithë shqiptarët, nesër bashkërisht t’i nderojmë Muzafer Xhaferin, Shpend Mazrekaj, Njazi Sinanin, Qemajl Shaqirin, Gazmend Arifin, Elham Currin dhe të gjithë dëshmorët e kombit që derdhën gjakun e tyre për liri, për ideale kombëtare dhe për një ardhmëri më të mirë”- deklaroi kryetari i Këshillit organizativ, njëherit edhe djali i dëshmorit Abaz Beqiri, Fuat Beqiri.
 
Nga Këshilli organizativ apelojnë te të gjithë ata të cilët po kundërshtojnë shqiponjën dhe flamurin kombëtar, të ndërpresin këto veprime antishqiptare dhe të radhiten në betejën për mbrojtën e idealeve kombëtare dhe të jetësimit të amanetit të dëshmorëve.
 
“Apelojmë deri tek të gjithë ata të cilët kohëve të fundit si armiq po e kundërshtojnë shqiponjën dykrerëshe dhe flamurin kombëtar dhe në këtë mënyrë shprehin mosmirënjohje ndaj vlerës dhe veprës së lavdishme të dëshmorëve të kombit, që të  ndërpresin këto veprime antishqiptare dhe të radhiten në betejën për mbrojtën e idealeve kombëtare dhe jetësimin e amanetit të dëshmorëve”- tha Beqiri.
 
Nga Këshilli organizativ bëjnë të ditur se për nesër, krahas inaugurimit të monumentit “Shqiponja”, pllakës përkujtimore që do të vendoset në rrugën “Ferid Murati”, afër shkollës së mesëm “Zef Lush Marku” në Çair, janë paraparë edhe homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Tanush dhe akademi përkujtimore, e cila do të mbahet në Shkup.
 
GYLTENE SINANI