Maqedoni

Pragë, Ivanov takon homologun e tij çek, në fokus integrimi dhe kriza me emigrantët

15.02.2016 17:17

Integrimi veri-atlantik i Maqedonisë, bashkëpunimi mes dy vendeve në fusha të ndryshme shoqërore...

Integrimi veri-atlantik i Maqedonisë, bashkëpunimi mes dy vendeve në fusha të ndryshme shoqërore, si dhe kriza me emigrantët kanë qenë temë e bisedimeve mes kryetarit të shtetit, Gjorge Ivanov, dhe homologut të tij çek, Milosh Zeman, në takimin e tyre në Pragë.
 
Ivanov me këtë rast ka shprehur nevojën e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE, ndërkaq ka kërkuar nga homologu çek përkrahje për integrim të vendit në familjen evropiane pikërisht tani në vigjilje të Samitit të NATO-s në Varshavë.
 
“Edhe përkundër të gjitha problemeve me të cilat ballafaqohet Evropa, Bashkimi Evropian duhet patjetër ta vazhdojë procesin e zgjerimit, sepse integrimi në arkitekturën e sigurisë dhe politikës së BE-së është përgjigjja më adekuate për ballafaqim me sfidat”- deklaroi kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov.
 
Ivanov me homologun çek ka biseduar edhe për çështjen e emigrantëve dhe të dy kanë përfunduar se emigrimi ka sjellë në krizë zonën Shengen, ndërkaq ka falënderuar Çekinë për ndihmën e dhënë në mbrojtjen dhe mbikëqyrjen kufitare, në regjistrimin e refugjatëve, si dhe në shmangien e rreziqeve në vendet kufitare që ballafaqohen me transitimin e emigrantëve.
 
Ivanov këto komente i ka bërë në Pragë, me ç’rast ka marrë pjesë në samitin e jashtëzakonshëm të vendeve të grupit të Vishegradit.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU