Maqedoni

Spasov: Shteti, 10 mijë euro për hapjen e kopshteve private

15.02.2016 17:50

Me grande prej nga 600 mijë denarë, shteti stimulon hapjen e kopshteve private...

Me konkursin që e shpalli sot Agjencia për Punësim parashihet shpërndarje të mjeteve për hapjen e 10 kopshteve private. 
Pritet të hapen 40 deri në 50 vende të reja pune dhe kapacitete shtesë për përkujdesje të 400 deri në 500 fëmijëve. Konkursi do të jetë i hapur 20 ditë.
 
“Në qendrat e Agjencisë për Punësim mund të paraqiten persona fizik dhe juridik, ndërsa prioritete do të kenë të papunësuarit, kërkues aktivë të punës. Ata të cilët do ta shfrytëzojnë mbështetjen financiare prej 600.000 denarëve do të jenë të obliguar të kenë të paktën katër të punësuar dhe kapacitet për përkujdesjen e të paktën 40 fëmijëve, me çka presim kjo masë të ndikojë për hapjen e 10 kopshteve private dhe krijimin e kapacitetit shtesë për 400 deri në 500 fëmijë, si dhe të hapen midis 40 deri në 50 vende të reja pune”- deklaroi zëvendësministri plotësues i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
 
Mund të aplikohet me objekt personal afarist ose me qira, për të cilin duhet të ketë marrëveshje për të paktën tre vjet. Pas marrjes së grandit në tre vitet e ardhshme, Agjencia për Punësim do të kryej monitorim nëse kryhet aktiviteti për të cilin janë dhënë mjetet.
 
Sipas Spasovit, prioritet do të kenë para së gjithash personat e papunë, pastaj edhe subjektet juridike të interesuar për hapjen e kopshteve për fëmijë në komunat ose vendet e banuara ku nuk ka kopshte.
 
Me volitshmëritë për stimulim të hapjes së kopshteve private që i miratoi Qeveria në shtator të vitit 2013, siç tha Spasov, numri i kapaciteteve të tilla për përkujdesje të fëmijëve është rritur prej 10 në 25, ndërsa janë hapur edhe gjashtë qendra private për zhvillim të hershëm të fëmijëve.
 
Volitshmëritë vlejnë ende dhe me to është paraparë çmim fillestar prej një euro për një metër katror tokë ndërtimore për kopshtet private për fëmijë, ulje për 95 për qind të taksave komunale për ndërtim të objekteve të tilla, linja të volitshme kreditore përmes Bankës së Maqedonisë për mbështetje të zhvillimit, prioritete në shfrytëzimin e masave për punësim.
 
GAZMEND KURTISHI