Maqedoni
Kuvend, Dimovski përmend territore të RM-së në Greqi dhe Shqipëri
15.02.2016 18:00
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Lupço Dimovski, përmend territore të Maqedonisë në Greqi dhe Shqipëri, ku sipas tij Televizioni i Maqedonisë transmeton program...

Ndaj një gafi të tillë të deputetit nuk ndërhyri as kryeparlamentari, Trajko Veljanovski. Sqarim kërkoi deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi, i cili tha se deklarata e Dimovskit është në kundërshtim me kushtetutën, ku thuhet se Maqedonia nuk ka pretendime territoriale.
“Edhe në pjesën veriore të Greqisë, përkatësisht në Maqedoninë e Egjeut, por edhe në pjesën e Republikës së Maqedonisë, në Pustec, ku gjithashtu jetojnë maqedonas, do të ndalem në repetitorin në Pelister, i cili duhet të rrezatojë edhe në brendinë e vendit, por edhe në fqinjësi ku jetojnë maqedonas”- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Lupço Dimovski.
“Në dy raste përmendni për pjesë të Maqedonisë në Greqinë Veriore, gjegjësisht për pjesë të RM-së në Republikën e Shqipërisë. Këtë fakt dua që ta sqaroni! Duke parë reagimet që po bëni, mendoj se ende nuk e keni të qartë se çfarë keni thënë”- tha deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi.
Pas konfirmimit të deklaratës në stenogram, koordinatori i grupit parlamentar i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, kërkoi falje në emër të bashkëpartiakut të tij me arsyetimin se bëhet fjalë për lapsus lingua.
“Bëhet fjalë për lapsus. Ai ka menduar për hapësira ku jetojnë maqedonas etnik dhe nuk ka pasur ndërmend që të shkel kushtetutën ose të ofendoj këdo qoftë”- theksoi Ilija Dimosvki nga VMRO-DPMNE.
Kuvendi diskuton programin për punë të RTM-së për vitin 2016 dhe planin financiar të servisit publik për këtë vit.
Shpenzimet e përgjithshme të NP RTM-së për vitin 2016 planifikohen të jenë 1.291.700.000 denarë, ose rreth 21 milionë euro.
SHPËTIM NUREDINI
