Maqedoni

Rasti “Titanik” në Gjykatën Shkupi 1, Jankullovska akoma në pyetje, Guri në liri

15.02.2016 18:09

Në Gjykatën Themelore Shkupi 1 vazhdon marrja në pyetje e ish-ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska...

Ajo nga Prokuroria Speciale dyshohet për manipulime zgjedhore. Nuk dihet se kur Jankullovska ka ardhur në Gjykatë.
 
Paraprakisht nga ora 10 e mëngjesit, në Gjykatën Shkupi 1 është marrë në pyetje anëtari i  Komisionit Zgjedhor komunal në Çair, Ismet Guri, i dyshuar për manipulim të rezultateve zgjedhore në vitin 2013.
 
Gjykata vendosi që mos të paraburgosë Gurin, ashtu siç është kërkuar nga Prokuroria Speciale. Atij i’u shqiptua masë alternative e sigurisë, ndalesë e kontaktit me persona të caktuar. Guri u shpreh shkurt për vendimin e Gjykatës.
 
“Vendimi i Gjykatës është për herë të parë në rregull, presim hetuesia ta thotë fjalën e fundit”- deklaroi i dyshuari në rastin “Titanik”, Ismet Guri.
 
Ismet Guri është personi i pestë i dyshuar, i cili pas marrjen në pyetje lëshohet në liri. Nga Gjykata bëjnë me dije se sot duhet të paraqiten që të gjithë personat e tjerë për të cilët Janeva kërkoi paraburgim.
 
Në mesin e tyre edhe sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Kirill Bozhinovski. Të premten, pas marrjes në pyetje, u lanë të lirë katër të dyshuarit nga gjithsej tetë, në mesin e tyre edhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski dhe kryebashkiaku i Pustecit, Edmond Temellko.
 
Për vendimin e tillë të Gjykatës Penale, Prokuroria Speciale të shtunën ka ngritur ankesë. Gjykata Shkupi 1 për ankesën e speciales do të vendosë në afat prej 48 orësh, pasi që palët zyrtarisht të pranojnë ankesat.
 
Ndaj qëndrimit të tillë kanë reaguar nga Prokuroria Speciale. Sipas tyre, Gjykata Shkupi 1 duhej të vendosë 48 orë nga dorëzimi i ankesave në Gjykatë.
 
MERAL ISMAILI