Botë
OKB: 50 të vrarë në sulmet ajrore në spitale dhe shkolla në Siri
15.02.2016 20:55
Kombet e Bashkuara thonë se së paku 50 persona janë vrarë dje në sulmet kundër pesë kapaciteteve mjekësore dhe dy shkollave në pjesën veriore të Sirisë...

Organizata “Mjekët pa kufij” tha se nga një sulm ajror është shkatërruar një klinikë e mbështetur nga ky grup, me ç’rast janë vrarë së paku shtatë persona.
Pas këtij sulmi në qytetin verior, Maret al-Numan, tetë persona konsiderohen të zhdukur, por ka shqetësim se ata mund të jenë të vrarë. Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër tha se spitali i mbështetur nga “Mjekët pa kufij” ishte në shënjestër të aeroplanëve luftarakë rusë.
Sipas këtij Observatori, në provincën Alepo, nga një raketë është qëlluar një spital i fëmijëve në qytetin Azaz, duke i vrarë pesë persona.
Sulmi i tretë ajror e ka goditur një shkollë në një fshat të afërt, duke i vrarë shtatë persona dhe plagosur disa të tjerë. Kjo dhunë u bë përkundër arritjes së pajtueshmërisë së fuqive botërore, javën e kaluar, për “ndaljen e armiqësive” në Siri.
