Maqedoni
Zjarr në ndërtesën e EVN-së në Shkup, nuk ka të lënduar, ka vetëm dëme materiale
16.02.2016 14:56
Dëshmitarët thonë se zjarri fillimisht është paraqitur në pjesën e sipërme të rrjetit të fasadës që është në ndërtim dhe brenda 5 minutash ai është zgjeruar në tërë ndërtesën....

Fatmirësisht zjarri ka shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa nuk ka pësuar asnjë njeri.
“Fasada filloi të digjet, prej çka nuk mund të themi. E pamë një zjarr të vogël dhe ai më pas u zgjerua”- deklaroi një punëtor i ndërtimtarisë.
“Ne vrapuam të parët, i ulëm rrjetat dhe me aparate për shuarjen e zjarrit shpëtuam diçka. Menjëherë erdhën edhe zjarrfikësit”- tha një qytetar.
“Ky është shembull se sa janë të sigurta fasadat e reja nga stiropoli, përkatësisht sa janë të pasigurta”- theksoi një qytetar.
Pas intervenimit me gjashtë ekipe të zjarrfikësve dhe gjashtë automjete, zjarrfikësit arritën të shuajnë për një kohë të shkurtër zjarrin.
“Për një kohë të shkurtër zjarrin e vumë nën kontroll, përkatësisht e fikëm tërësisht. Me rëndësi është se nuk ka zjarrfikës të lënduar, nuk ka qytetarë të lënduar që punojnë në këtë objekt dhe nuk ka zgjerim të zjarrit në objekt”- deklaroi komandanti i Njësitit të Zjarrfikësve, Blagoja Menkovski.
Ndërtesa është në bashkëpronësi të EVN-së dhe ELEM-it. EVN është dislokuar nga kjo ndërtesë para një viti e gjysmë, ndërsa të punësuarit e ELEM-it në kohë janë evakuuar dhe nuk ka pasur të lënduar. Hetimet për shkaqet e zjarrit vazhdojnë.
GYLTENE SINANI
