Shqyrtimi i lëndëve të Prokurorisë Speciale, “Besa”: Të formohet gjykatë speciale

16.02.2016 15:01

Lëvizja “Besa” kërkon themelimin me urgjencë të gjykatës speciale në Maqedoni, e cila në mënyrën më transparente do të shqyrtonte rastet e iniciuara nga Prokuroria Speciale...

Kërkesa e tillë, sipas Ermira Hasani Saliut nga departamenti për drejtësi në Këshillin e kësaj lëvizje, vjen si pasojë e gjyqësorit jo të pavarur. Saliu thotë se veç më është vërtetuar se gjykatat në Maqedoni janë nën kthetrat e pushtetit dhe kjo u konstatua me lirimin e të dyshuarve të rastit “Titanik” nga Gjykata Penale Shkupi 1.

“Nuk shkoi asnjë ditë e vetme për të kuptuar se gjykata e apostrofuar menjëherë dëshmoi se është nën kthetrat e pushtetit, duke lejuar që të dyshuarit, për të cilët ishte kërkuar shqiptimi i masës së paraburgimit, u lejuan të lirë. Ne jemi të bindur se pa themelim edhe të gjykatës speciale që do merret vetëm me gjykimin e rasteve të iniciuara nga Prokuroria Speciale, drejtësia për këto raste nuk do të vijë dhe përfundimisht Maqedonia nuk do të mund të dalë nga kriza e thellë aktuale”- deklaroi Ermira Hasani-Saliu nga Lëvizja “Besa”.

Gjykata speciale, sipas Lëvizjes “Besa”, do të ishte formuar sipas parimeve të njëjta, sikurse u formua Prokuroria Speciale.

Ditë më parë, edhe Partia Liberal-Demokratike kërkoi themelimin e Gjykatës Speciale, në kompetencë të së cilës do të ishin të akuzuarit nga Prokuroria Speciale. Edhe liberal-demokratët druajnë se akuzat e dala nga kabineti i prokurores speciale, Katica Janeva, do të obstruohen nga gjykatësit, ndërkaq partia në pushtet do të tentojë që nga akuzat të bëjë farsë. (Meral Ismaili, TVM2)