Kriza e refugjatëve, Tusk: Nxjerrja e Greqisë nga Shengeni, s’është zgjidhje
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, theksoi se dalja e Greqisë nga zona e Shngenit nuk do të zgjidh krizën e migrimit në Evropë....

Ai shtoi se fluksi i migrantëve dhe refugjatëve drejt Evropës e kanë sjellë Unionin deri në kufijtë e tij, por Greqia është po ashtu një nga vendet e prekura dhe nuk ka luajtur asnjë rol në krijimin e krizës.
“Nuk është koincidencë fakti që popullata greke e ishujve është nominuar për çmimin Nobël për Paqe për kontributin e tyre të përgjithshëm në ndihmën e ofruar për njerëzit në nevojë. As Greqia e as Evropa nuk e kanë shkaktuar krizën. Të gjithë atyre të cilët flasin për largimin e Greqisë nga zona e Shengenit dhe të cilët mendojnë se kjo do të ishte zgjidhje për krizën e migrantëve, i them jo, nuk është zgjidhje kjo! Të jem i qartë. Largimi i Greqisë nga zona Shengen nuk zgjidh asnjë problem. Nuk e ndalon luftën në Siri, nuk e ndal atraksionin evropian të migrantëve dhe nuk është zgjidhja e duhur për Evropën. Ajo që ne duhet të bëjmë është të përforcojmë sigurinë e kufijve tanë të jashtëm, duke përfshirë edhe Greqinë. Kjo kërkon përpjekje më të madhe të Greqisë, por gjithashtu edhe mbështetje nga partnerët e BE-së”- deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Tusk, gjatë fjalimit të tij shtoi se bota është duke shpresuar për paqe dhe gatishmëri për bisedime në Siri, ka mbetur me shumë pak shpresë në këtë drejtim pas sulmeve të Rusisë, të cilat po përforcojnë regjimin e Assadit, gjë e cila po shton numrin e refugjatëve në Evropë.
Për Britaninë e Madhe Tusk tha se negociatat ishin të “brishta” por ai beson se propozimi i tij është korrekt dhe i balancuar.
Kryeministri i Britanisë, David Cameron, këtë javë shkon në Bruksel për të bindur anëtarët skeptike të Parlamentit Evropian që të mbështesin një pako të reformave para mbajtjes së samitit të rëndësishëm këtë javë. (Leunora Kaliqi, TVM2)
