Hahn: Zgjedhjet e 24 prillit varen nga raporti i OSBE/ODIHR dhe KShZ

16.02.2016 15:44

Vendimi nëse janë pjekur apo jo kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 24 prill në Maqedoni varet nga vlerësimi i OSBE/ODIHR dhe Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ka deklaruar eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn....

“Patëm marrëveshje nga qershori/korriku i vitit të kaluar dhe një pjesë e kësaj marrëveshje është edhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Por, për këtë s’mund t’ju jap përgjigje për momentin”, ka deklaruar eurokomisari Hahn.

“Nuk mundem të jap përgjigje tani, varet nga rezultati i institucioneve ndërkombëtare dhe Komisioni Shtetëror Zgjedhor  se cili do të jetë vlerësimi i tyre për pjekurinë dhe gatishmërinë e zgjedhjeve, më pas ata duhet të marrin vendim”- deklaroi eurokomesari për zgjerim, Johanes Hahn.

Ai njëherit nuk e ka bërë të ditur dhe as nuk e ka konfirmuar ardhjen e tij në Maqedoni në fund të javës, ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë. Madje, qarkullojnë informacione se eurokomisari mund të mos vijë në Maqedoni dhe t'ia lejë ambasadorit të Bashkimit Evropian, Aivo Orav, dhe atij amerikan, Xhes Bejli, të kumtojnë nëse ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike.

Prononcimin për zhvillimet në Maqedoni Han e bëri në konferencën tradicionale ballkanike “Miqtë e Maqedonisë”, me ç’rast eurokomisari Hahn ka komentuar edhe krizën me refugjatët, duke theksuar se është më mirë të funksionojë normal kufiri Maqedoni–Greqi se sa të mbyllet apo të vendosen rrethoja. Qëndrimin për krizën e refugjatëve e paraqiti edhe zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, i cili tha se vendi do të vazhdojë të jetë konstruktiv në menaxhimin me krizën e refugjatëve.

“Maqedonia mbetet e hapur që të jetë një vend konstruktiv në çështjen e menaxhimit me krizën e refugjatëve dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme këtu një bashkëpunim më i fuqishëm me BE-në, me politikat e unifikuara të BE-së, që do të ndihmojnë këtë proces për ne, që të mund të menaxhojmë në mënyrë të suksesshme”- theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.

Sipas Besimit, Maqedonia nuk ka kapacitete të mjaftueshme që në mënyrë të pavarur të menaxhojë krizën me refugjatët dhe për këtë arsye është e nevojshme të funksionojë edhe marrëveshja që ka BE lidhur me menaxhimin e rrjedhës së refugjatëve, në të cilën Maqedonia është e involvuar në procesin e transitimit të emigrantëve. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)