Sportet E Tjera
Ndryshon rivali, Gjetan Keta do të sfidojë Turgay Uzun
16.02.2016 16:18
Ndryshim i papritur planesh për Gjetan Ketën...

Për të fituar titullin interkontinental të kategorisë Wbc më i rëndësishmi për të në karrierë, boksieri shqiptar këtë të Premte në pallatin e sportit Asllan Rusi nuk do të sfidojë turkun Sultan Goklap Ozekler sic ishte në program fillimisht, por një tjetër kundërshtar nga Turqia.
Për shkak të disa problemeve me shëndetin Goklap Ozekler është tërhequr dhe federata turke e boksit ka vendosur në dispozicion për këtë sfidë dy boksierë të tjerë. Në këtë mënyrë të Premten në Asllan Rusi kundërshtari i boksierit nga Bulqiza do të jetë Turgay Uzun, një boksier me më shumë përvojë se Goklap Ozekler.
Ismail Keta ish kampioni i Botës që është njëkohësisht edhe vëllai i madh i Gjetanit por edhe trajneri i tij, u shpreh se kjo është një strategji e federatës turke për të vendosur sa më shumë në vështirësi Gjetanin për faktin se ky i fundit nuk ka patur kohë ta studiojë kundërshtarin.
Pavarsisht se pret një ndeshje shumë e vështirë pasi ka shumë pak ditë në dispozicion për të studiuar kundërshtarin e ri që në letër është superior, Gjetan Keta u shpreh optimist për mundëistë që ka për të fituar titullin interkontinental të kategorisë Wbc.
Objektivi i vëllëzërve Keta nuk është vetëm të bëjnë krenar një komb të tërë por edhe të promovojnë turizmin shqiptar në sytë e Europës dhe Botës. Dueli mes Mike Gjetan Ketës dhe turkut Turgay Uzun do të transmetohet direkt nga 129 vende të ndryshme të Botës.
