Pançevski: Nuk ka nevojë për gjykatë speciale; Gjykata Penale le të lirë ish ministren Jankullovska

16.02.2016 16:30

Njeriu i parë i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançëvski, siguroi se gjykatësit e kësaj gjykate punojnë në mënyrë të pavarur....

Sipas tij, nuk ka hapësirë ligjore dhe kushtetuese që të formohet gjykatë speciale, por nëse sillet një vendim i tillë politik, do të ishte sikur Prokuroria Speciale.

Tërësisht të pavarur janë në Gjykatën Themelore Shkupi 1 dhe gjykatat punojnë në pajtueshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e RM-së, në këtë ju siguroj maksimalisht”- deklaroi kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski. 

Pançevski thotë se ende nuk ka pasur vendime për paraburgim të ish funksionarëve të përfshirë në rastin “Titanik”, sipas tij deri tani janë dorëzuar pesë ankesa dhe gjithçka do të vendoset brenda afatit ligjor.

“Ka ankesa edhe nga pala mbrojtëse edhe nga Prokuroria. Ende nuk është vendosur asgjë. Ka afat ligjor prej 48 orësh për vendim të gjykatës, kjo vjen pasi që të krijohen parakushtet formale”- tha kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançëvski.     

Ndërkohë, Gjykata Themelore Shkupi 1-Shkup ka njoftuar se gjykatësi i procedurës paraprake nga Sektori për Krim të Organizuar dhe Korrupsion pranë kësaj Gjykate mbrëmë pas disa orëve marrje në pyetje ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale Publike për përcaktimin e masës së paraburgimit për personat G. J., K. B., K.T. dhe N. V. të dyshuar për manipulime të kryera zgjedhore në lëndën "Titanik".

Në njoftimin e Gjykatës Themelore Shkupi 1-Shkup thuhet se në dëgjim dje janë paraqitur personat G. J., K. T. dhe N. V., ku Prokuroria për Ndjekje të Veprave Penale të përfshira të cilat vijojnë nga ndjekja e paligjshme e komunikimeve parashtroi propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit për sigurim të pranisë për shkak të zhvillimit të papenguar të procedurës penale.

"Pas marrjes në pyetje të personave në praninë e ndihmësve të tyre, gjykatësi i procedurës paraprake, në afat të paraparë ligjor prej 6 orësh pas përfundimit të dëgjimit, solli vendim me të cilin e refuzoi propozimin e Prokurorisë", thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Shkupi 1-Shkup. Kjo nënkupton se edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Kiril Bozhinovski, ashtu si edhe ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, mbetën të lirë, edhe pse Prokuroria Speciale kërkoi aplikimin e masës së paraburgimit dhe parashtroi ankesë për rastet paraprake. (Sanije Duraku, TVM2)