OEMVP realizoi takim me Aleancën Kosovare të Biznesit
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot realizoi takim me Aleancën Kosovare të Bizneseve....

Gjatë këtij takimi u diskutua rreth thellimit të bashkëpunimit në mes kompanive anëtare të Odës dhe atyre të AKB-së, me qëllim të rritjes së fuqisë të bizneseve prodhuese nga të dy vendet.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe AKB, 5 vite më parë kanë nënshkruar edhe memorandum bashkëpunimi, që ka për qëllim krijimin e kushteve të volitshme për afaristët nga të dyja vendet dhe eliminimin e barrierave në pikat kufitare me qëllim të thellimit të shkëmbimin tregtar.
Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha theksoi se deri më tani është tentuar që të krijohen kushte të barabarta sa i përket biznesit kosovar që shtrihet në Republikën e Maqedonisë dhe kjo nuk do të mungojë as në të ardhmen. Si qëllim në drejtim të të cilit duhet të punohet, është edhe infrastruktura rrugore, ku u përmendën autostrada Prishtinë-Shkup, si pikë shumë e rëndësishme për shkëmbimin tregtar, me theks të veçantë edhe në lëvizjen e lirë në kufij të qytetarve.
Të dy palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim, duke përmendur atë se bizneset shqiptare kanë nevojë për mbështetje dhe promovim.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini theksoi se bizneset kosovare kanë fuqi të madhe të konsumatorëve në Maqedoni dhe disa kompani kosovare prodhuese veç kanë marrë tregun e Maqedonisë. Në këtë takim, gjithashtu u diskutua edhe për formimin e një trupi të përbashkët, përmes të cilit bizneset nga Kosova dhe Maqedonia do të unifikojnë kërkesat e tyre për lehtësimin e procedurave doganore dhe përmirësimin e legjislacionit në të dy vendet.
Nga AKB gjithashtu prezantuan edhe aktivitetet që do organizojnë në kuadër të Javëve të Biznesit Kombëtar. Qëllimi i këtij projekti është ndikimi në përmirësimin esencial të mjedisit afarist në Kosovë dhe më gjerë, në mënyrë që të mbrohen prodhimet vendore, si dhe të stimulojnë dhe vetëdijësojnë konsumatorët për rëndësinë e konsumit të produkteve vendore.
