Maqedoni

VMRO këmbëngul për zgjedhje më 24 prill, LSDM kërkon zbatimin e reformave, fillimisht

16.02.2016 16:54

VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë paraqitur qëndrime të kundërta para raportuesve në Këshillin e Evropës...

VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë paraqitur qëndrime të kundërta para raportuesve në Këshillin e Evropës sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zbatimin e reformave që burojnë nga marrëveshja politike e dy qershorit.
 
Sipas VMRO-DPMNE-së, zgjedhjet duhet të mbahen më 24 prill, në datën për të cilën janë dakorduar të gjitha partitë, që vendi të dalë nga kriza politike sa më shpejtë. 
 
“Parti të ndryshme dhanë këndvështrime të ndryshme për situatën dhe rreth zgjedhjeve, por një gjë është e pakontestueshme, se data 24 prill është dakorduar bashkërisht, me kërkesë të opozitës, e cila udhëheq me KShZ-në, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale dhe konsiderojmë se i kanë të gjitha mundësitë që të marrin pjesë në zgjedhje, të cilat i dëshiruan”- deklaroi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
 
“VMRO-DPMNE-së më së shumti i ka interesuar data e zgjedhjeve të parakohshme sesa zbatimi i reformave që burojnë nga Marrëveshja e Përzhinës”, - tha deputetja e LSDM-së Sofija Kunovska, sipas së cilës ende nuk janë krijuar kushtet për të pasur zgjedhje demokratike, në harmoni me marrëveshjen.
 
“Pozicioni i LSDM-së është se një pjesë shumë e madhe Marrëveshjes së Përzhinës aspak nuk është zbatuar, e tillë është situata me listën zgjedhore, ku ende nuk ka nisur pastrimi i kësaj liste, e njëjtë është situata me mediat, ku ende nuk është arritur marrëveshje se si më tej, por gjithashtu të gjithë jeni dëshmitarë për obstruksionet sistematike ndaj Prokurorisë Publike Speciale, ende nuk është miratuar pjesa e Ligjit për dëshmitarët e mbrojtur. LSDM mban qëndrimin se Maqedonisë nuk i duhen edhe një palë zgjedhje të falsifikuara”- tha Sofija Kunovska nga LSDM.
 
Përderisa partitë rivale ndajnë qëndrime të kundërta sa i përket plotësimit të kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, korrekte dhe demokratike, brenda pak ditësh pritet qëndrimi zyrtar i Brukselit dhe Vashingtonit nëse do të mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill ose do të kërkojnë fillimisht zbatimin e marrëveshjes politike në germë dhe në frymë.
 
SHPËTIM NUREDINI