Tiranë, takim Nishani-Thaçi, respektimi i MO-së thelbësor për Maqedoninë
Presidenti shqiptar, Bujar Nishani, priti sot në një takim kreun e PDSh-së, Menduh Thaçin...

Presidenti Nishani vlerësoi në këtë takim se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është fondament i respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe krijimit të klimës së besimit të ndërsjellë në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, në të mirë të prosperitetit dhe të zhvillimit të marrëdhënieve sa më të mira të këtyre dy popujve shtet-formues në Maqedoni.
Presidenti shqiptar shprehu qëndrimin e tij për një frymë sa më të mirë bashkëpunimi jo vetëm midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, por edhe me të gjitha shtetet e rajonit dhe më gjerë.
Kreu i PDSh-së, Thaçi, falënderoi për kontributin dhe ndihmën e presidentit Nishani në konsolidimin dhe shtyrjen përpara të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe përkrahjen e dhënë shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, duke treguar lidership dhe përkrahje për të gjithë pa asnjë dallim, thuhet në njoftimin e Presidencës shqiptare.
