Investim i parë nga Bosnja në Maqedoni, fillon me punë “Joy Marketing Group”
Kompania “Joy Marketing Group” nga Bosnja e Hercegovina fillon me punë në Maqedoni...

Kjo kompani do të jetë “Call centar” dhe do të punojë vetëm për tregun e Gjermanisë, duke u ofruar qytetarëve të Gjermanisë paketa të ndryshme të sigurimit, të energjisë elektrike dhe të gazit dhe paketa stomatologjike.
Është paraparë punësim i shumë të rinjve të cilët zotërojnë mirë gjuhën gjermane.
“Kemi një investim të ri nga Bosnja e Hercegovinës dhe bëhet fjalë për Kompaninë ‘Joy Marketing Group’, e cila sot hap zyrën në Shkup dhe veç më ka filluar me 33 të punësuar. Kjo kompani në të ardhmen, gjegjësisht në vitin e parë të 2016, do të hap 100 vende të reja të punës, ndërsa në 4 vitet në vijim do të ofrojë rreth 500 vende të tjera pune”- deklaroi drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja, Visar Fida.
“Ne këtu kemi vërejtur të rinj të cilët duan të punojnë. Kjo për ne ishte arsye e mjaftueshme për të vendosur që të vijmë në Maqedoni. Kapital, biznes plan dhe partnerë të huaj kemi, na nevojitet veç kuadër cilësor për këtë punë. Unë nuk them që personat duhet shikuar të ardhmen e tyre në këtë ‘Call center’, por është një mundësi e mirë për të filluar dhe përfituar eksperiencë pune”- tha drejtori i kompanisë, Mirsad Osmiq.
Sipas drejtorit të Agjencisë për Investime të Huaja, Visar Fida, ky investim është i pari që vjen nga Bosnja e Hercegovina. Kompania “Joy Marketing Group” në këtë biznes është e angazhuar 3 vjet dhe planifikon ta zgjerojë biznesin edhe në Kroaci. (Rexhep Qamili, TVM2)
