Maqedoni

Në Çair të Shkupit shpaloset memoriali “Shqiponja”

16.02.2016 18:25

Shpaloset shqiponja dykrenore në lagjen e Fushtophanës në Çair të Shkupit për të shënuar kështu 16 vjetorin e fillimit të luftës së UÇK-së në Tanushë...

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë shumë komandantë dhe ish-luftëtarë të UÇK-së, përfshi edhe liderin e BDI-së, Ali Ahmetin.
 
“Kjo ditë është shumë e rëndësishme për popullin shqiptar, pasi që prej kësaj dite filloi jetësimi i idealeve dhe realizimi i të drejtave të shqiptarëve dhe pikërisht kjo shqiponjë simbolizon këtë betejë”, u tha me këtë rast. 
 
“Sot Shkupin e dua dhe e doni më shumë sepse është me Skënderbeun, aty ku është qendra më e vjetër në Ballkanin Dardan, e dua Shkupin dhe Hasan Prishtinën, e dua Shkupin me Isa Bolertinin”- deklaroi Ali Ahmeti.
 
“Vetëm në këtë rreth këtu po bëhen gati themelet për Universitetin e ri shqiptar Shtetëror “Nënë Tereza”, vetëm në këtë rreth shqiptarët e Shkupit nuk janë qiraxhi më me ‘Zef Lush Markun’, por kanë ndërtesën e tyre”- tha Izet Mexhiti.    
                                         
“Sot, në shenjë të kësaj lufte, në shenjë të të rënëve dhe luftës së UÇK-së, ne shpalosim simbolin tonë më të dashur, simbolin që ishte gjithnjë në vijat e para të frontit dhe që na jepte forcë për ta sfiduar armikun, shqiponjën tonë të dashur, e cila jo vetëm që do të jetë imazhi mbrojtës i shqiptarëve të Shkupit, por edhe udhërrëfyes për të ardhmen”- theksoi Nazim Bushi.  
                                                
16 shkurti është dita kur edhe përkujtohet dëshmori i parë i luftës, Muzafer Xhaferi, theksuan familjarët e dëshmorëve dhe bashkëluftëtarët e tyre.  
                                        
“Ata fituan të drejtën që të jenë djem të të gjithë kombit, prandaj dhembja dhe krenaria për ta i kaloi kufijtë e ngushtë familjar dhe ka marrë përmasat e dhembjes dhe krenarisë mbarëkombëtare. Amaneti i tyre do të jetë gjallë sa të jetë jeta”- u shpreh vëllai i dëshmorit Nusret Curri, Elham Curri.
 
“Një dekadë e gjysmë më parë, bijtë më të devotshëm të kombit: Qemal Shqairi, Muzafer Xhaferi, Shpend Mazrekaj, Nijazi Sinani, Gazmend Arifi dhe Elham Curri, duke u radhitur në emblemën e UÇK-së, dëshmuan se ky vend ka dalzotës”- tha Fatmiri.
 
“Tani pas 15 vitesh ka ardhur koha ta ngrisim një shqiponjë në Shkupin e Hasan Prishtinës, Shkupin e Ismet Jasharit”- potencoi bashkëluftëtari i Muzafer Xhaferit, Xhemail Selimi.                                                                                          
Ceremonia e shpalosjes së shqiponjës dykrerëshe u shoqërua edhe me këngë patriotike dhe valle, ndërsa nuk munguan as mysafirë nga Shqipëria, Kosova dhe mbarë trojet shqiptare. 
 
ERSAN PAJAZITI