Botë

Deti i Kinës Jugore, Kina zhvendos raketa në ishullin Yongxing

17.02.2016 13:16

Kina ka zhvendosur raketa tokë-ajër në një ishull të pretenduar edhe nga të tjerë shtete në detin e Kinës Jugore, por Pekini i hedh poshtë të tilla pretendimet si të “sajuara” nga mediat...

Fotot me pamje satelitore të bëra më 14 shkurt e të publikuara nga “Fox News” tregojnë që duket të jenë dy bateri me nga 8 raketahedhëse dhe një sistem radarësh të vendosur në ishullin Yongxing.
 
Tajvani, që këmbëngul se ishulli i takon atij, e konfirmoi lëvizjen e Pekinit. Por, ministri i Jashtëm kinez, Vang Yi, u tha gazetarëve se, e gjithë kjo tymnajë nuk është gjë tjetër veçse një shpikje e mediave perëndimore.
 
“Në vend që të merren me të tilla gjëra, le të përqendrohen më mirë te faret që kemi ndërtuar në detin e Kinës Jugore, të cilët janë provuar mjaft të vyer për sigurinë e anijeve që kalojnë në atë zonë”- deklaroi ministri i Jashtëm i Kinës, Vang Yi.
 
Ka reaguar edhe Japonia, e cila nuk i pranon këto lëvizje të Kinës në këtë ishull.
 
“Japonia beson se duhet një punë e përbashkët e gjithë komunitetit ndërkombëtar për të siguruar liri në navigacion dhe fluturimet mbi këtë zonë. Aktivitetet e Kinës në këtë ishull janë aktivitete për ndërtimin e bazave ushtarake dhe kjo nuk mund të pranohet”- theksoi sekretari i shtetit japonez, Yoshihide Suga.
 
Ishujt i kërkojnë edhe vendet e tjera të rajonit, ndaj militarizimi i zonës nuk premton të sjellë asgjë të mirë.
 
LEUNORA KALIQI