Maqedoni

Orav për datën e zgjedhjeve: Të premten japim vlerësimin përfundimtar; Besimi: Me rëndësi implementimi i reformave

17.02.2016 14:47

Përfaqësuesit ndërkombëtarë të premten pritet të japin vlerësime nëse janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill...

Euroambasadori, Aivo Orav, thotë se vlerësimi për zgjedhjet nga diplomatët e BE-së dhe SHBA-ve është në duart e partive politike. Por, Orav nuk saktësoi nëse të premten eurokomisari, Johanes Hahn, do të qëndrojë për vizitë në Shkup.
 
“Siç e dini, më 28 janar, së bashku me kolegun tim të ambasadës së ShBA-ve, i patëm dërguar letër të përbashkët kryeministrit dhe liderëve të partive dhe i informuam se ne e ndjekim situatën jo më larg se 20 shkurt. Pse e bëmë këtë? Kemi sqaruar, por ja edhe njëherë. Në 15 janar kur eurokomisari ishte këtu, për fat të keq nuk u arrit konsensus për krizën politike dhe se si të bëhen hapat e mëtutjeshme për implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës. 24 prilli është pjesë e marrëveshjes si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa nga ana tjetër ka shumë ngecje afatesh në implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës”- deklaroi euroambasadori, Aivo Orav.
 
Zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, theksoi se partia e tij po afirmon rol konstruktiv për mbajtjen e zgjedhjeve të parapara me Marrëveshjen e Përzhinës. Megjithatë, ai nuk deshi të spekulojë për vendimet e mëtutjeshme të BDI-së.  
 
“Me rëndësi është që Marrëveshja e qershorit dhe protokolli i 15 korrikut të implementohet tërësisht, partitë që janë nënshkruar të implementojnë reformat dhe të gjithë ato çështje për të cilat janë dakorduar dhe të mundet vendi të shkojë në zgjedhje të lira, demokratike, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe gjithsesi presim të shohim edhe vlerësimin që do të vijë nga BE, ShBA në bazë të analizave që bën OSBE/ODIHR dhe vet KShZ, interesi i vendit që Maqedonia të bëjë sa më shpejt reformat e duhura”- theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.
 
Këto komente u thanë në press-konferencën e Sekretariatit për Eurointegime,  për fondet IPA 1 dhe 2, me ç’rast zëvendëskryeministri për eurointegrime, Besimi, shpalosi pasqyrën e shfrytëzimit të mjeteve IPA 2007 -2013 me vlerë prej 615.000.000 eurosh.
 
Besimi tha se marrëveshje financiare nga kjo shumë kanë nënshkruar edhe komunat shqiptare, sidomos në projektet për bashkëpunim ndërkufitar.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU