Maqedoni

Anevski: Nuk ka nevojë për gjykatë speciale

17.02.2016 15:02

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski, është kundër formimit të gjykatës speciale në Maqedoni..

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski, është kundër formimit të gjykatës speciale në Maqedoni, duke kundërshtuar kështu kërkesën e disa partive opozitare për themelimin e një gjykate të tillë, e cila do të trajtonte lëndët e ngritura nga Prokuroria Speciale. Anevski thotë se ka besim në gjyqësorin e vendit. 
 
“Në Maqedoni nuk ka nevojë për gjykatë speciale, sepse kjo do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë dhe me Ligjin e gjykatave”- deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski.
 
I pyetur nga gazetarët  për  vendimin e Gjykatës Penale në lidhje me refuzimin e paraburgimit për të dyshuarit e rastit “Titanik”, Anevski tha se vendimet e gjykatës janë të bazuar në ligj. 
 
“Unë mendoj se gjykata vendos në baze të ligjit. Nuk jam i informuar me detajet dhe propozimet e tyre, por unë kam besim në gjyqësorin”- tha kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski.
 
Vlerësimet Anevski i bëri gjatë ndarjes së 13 certifikatave të gjeneratës së pestë për kryerjen e trajnimit me sukses për gjykatës dhe prokurorë publik. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ