Maqedoni

Ylber Hysa për TVM2: Shqiptarët në RM, faktor kyç për marrëdhënie të mira

17.02.2016 15:28

Ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, vlerëson se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të mira falë lidhjeve të popullit të Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë...

Në një intervistë për TVM2, Hysa thotë se Kosova llogaritet si një nga partnerët më strategjik të tregtisë së jashtme të Maqedonisë me një lëvizje qarkulluese prej mbi 1 milion njerëz në vit.
 
Ai përgëzon vendimin e dy qeverive për kurorëzimin e këtyre marrëdhënieve me një marrëveshje që do t’u mundësojë lëvizjen vetëm me letërnjoftime të qytetarëve të të dy vendeve. 
 
“Kosova me Maqedoninë ka më së shumti marrëdhënie bilaterale krahasuar me cilindo shtet. Këto dy marrëveshje janë të rëndësishme për qytetarët e të dyja anëve. Është një fakt tashmë që dihet se kosovarët janë vizitorë të rëndësishëm të këtij vendi, janë edhe të themi turistë medicinal, pasi që këtu lënë shumë para dhe është me së e logjikshme të kurorëzohet ky lloj frekuentimi me një marrëveshje e cila lejon qytetarët që të udhëtojnë me letërnjoftime biometrike”- deklaroi ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.
 
Një tjetër dëshmi për rëndësinë e kësaj lidhjeje mes dy shteteve, sipas Hysës, është edhe përpjekja e Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar me buxhetin e saj një rrugë të rëndësishme që do të lidh dy kryeqytetet, Shkupin dhe Prishtinën.
 
“Ndërlidhja e kësaj rruge të re e Prishtinës me Shkupin do të mundësojë një lloj kyçje të re rajonale, e cila do të shfrytëzohet nga shumëkush. Në këtë aspekt ne e kemi bërë punën tonë dhe shpresojmë se zyrtarët në Shkup do ta bëjnë punën e tyre modeste 13 km, që do të lidh pikën kufitare me Shkupin, dhe kështu do të kemi një autostradë të plotë, e cila lidh dy kryeqytetet”- tha Hysa.
 
Ngjarjet në Lagjen e Trimave në Kumanovë dhe përfshirja në to edhe e shtetasve të Kosovës nuk i ka zbehur marrëdhëniet mes dy vende, thotë Hysa. Por, ai pret që procesi gjyqësor të jetë i drejtë dhe transparent.
 
“Në asnjë nga vlerësimet e deritanishme nuk duket që kjo të ketë ndikuar në marrëdhëniet tona, apo të jetë keqkuptuar si një lloj akti prapa të cilës qëndron shteti i Kosovës. Është një akt i cili po vijon me një proces gjyqësor, ne shpresojmë që ai të jetë transparent,  të ketë një epilog gjyqësor transparent me një monitorim i cili do t’ju lejojë të gjithëve gjykim fer”- theksoi Hysa.
 
Sipas Hysës, të dyja vendet kanë jo vetëm histori të përbashkët, por edhe ardhmëri të përbashkët. E kjo është rruga drejt BE-së dhe NATO-s, si e vetmja rrugë drejt stabilitetit rajonal.
 
SANIJE DURAKU