Formimi i gjykatës speciale, temë debati në “Argument”
Themelimi i gjykatës speciale është më se i nevojshëm, që në mënyrë më të pavarur do të shqyrtonte lëndët e Prokurorisë Speciale...

MAKSUTI: DUHET NDRYSHUAR KUSHTETUTA
Profesori i së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti, në emisionin “Argument” tha se defekti më i madh i Marrëveshjes së Përzhinës është pikërisht mosinicimi për formimin e gjykatës speciale.
Maksuti thotë se për formimin e një institucioni të tillë do të duhej të ndryshohet kushtetuta, andaj ai propozon që në këto rrethana të formohet departament i veçantë brenda Gjykatës Penale.
“Do të ishte mirë në këto rrethana që të ndërhyhet në gjykatën aktuale, e cila tani është duke procesuar rastin, të themelohet një departament i veçantë në të cilin do të bëhej një përzgjedhje e gjykatësve njësoj sipas principit të prokurorëve të Janevës. Kjo do të kishte një koncensus politik njëjtë sikurse u zgjedh ekipi i prokurores speciale, katër subjektet duhet ta mbështesin që ne mos të ndryshojmë rendin kushtetues”- deklaroi profesori i së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti.
DARDHISHTA: KUSHTETUTA E HAPUR PËR NDËRHYRJE
Por, avokati, Bujar Dardhishta, thotë se kushtetuta është e hapur për ndërhyrje dhe mundësitë për formimin e gjykatës speciale janë më se reale dhe kushtetuese.
“Kushtetuta nuk është mbyllur akoma, është logjike që nëse ke prokurori speciale shumë normal është që të kesh edhe gjykatë speciale, do të duhet institucionet të nivelizohen, prokurori speciale me gjykatë speciale, pse, nuk mund të jetë antikushtetuese fund të fundit, sepse përveç aspektit formal, gjërat duhet t’i shikojmë dhe nga aspekti juridiko-material në aspektin praktik, pasi që liritë dhe të drejtat e njeriut janë shkelur tej mase, pasi që është cenuar siguria juridike dhe gjithçka duhet filluar nga e para”- tha avokati, Bujar Dardhishta.
MUSLIU: VARET NGA PUNA E GJYKATËSVE TË PAVARUR
Analisti, Albert Musliu, thotë se formimi i gjykatës speciale varet nga puna e gjykatësve të pavarur, të cilët u distancuan nga vendimi i fundit i Gjykatës Penale për mosshqiptimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit e “Titanikut”.
“Nëse ata gjyqtarë, të cilët kanë shprehur pakënaqësi dhe nuk janë pajtuar me vendimin e gjykatësit vijnë në shprehje, atëherë mund të tejkalohet nevoja e gjykatës speciale, por nëse gjykata vepron në vazhdimësi në këtë mënyrë, gjithsesi se do të vijë në shprehja edhe çështja e gjykatës speciale”- theksoi analist politik, Albert Musliu.
Gjithashtu u theksua nevoja që çështja e gjyqësorit në vend të shqyrtohet edhe nga faktori i jashtëm, ShBA dhe BE, me qëllim të kthimit të kredibilitetit në institucionet e drejtësisë dhe demokratizimit të vendit ashtu edhe siç po jepen sinjale nga lënda e parë e ngritur “Titanik”. (Meral Ismaili, TVM2)
