Prokuroria Publike: 3 kërkesat e PPS-së nuk kanë bazë ligjore
Prokuroria Publike Themelore konfirmoi sot se ka marrë kërkesa të reja nga Prokuroria Speciale Publike...

Bëhet fjalë për lëndët e njohura në opinion si ‘”Magjar telekom”, për lëndën kundër personit me iniciale Z. V. për vepër të kryer penale "punë e paautorizuar, posedim, ndërmjetësim dhe kontrabandë me armë ose materiale shpërthyese" dhe për lëndën kundër G. V. për vepër të kryer penale "prodhim dhe distribuim të pornografisë për fëmijë". Në përgjigjen e Prokurorisë Publike Themelore thuhet se:
“Lëndët që kërkohen nuk janë të ndërlidhura, e as nuk dalin nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve. Prej këtu, kërkesat e Prokurorisë Publike për ndjekje të veprave penale të ndërlidhura dhe të cilat dalin nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve nuk janë në pajtueshmëri me Ligjin. Me një kërkesë të tillë janë tejkaluar autorizimet ligjore që i janë dhënë prokurorit publik, i cili udhëheq me këtë prokurori”.
Por, nga Prokuroria Speciale thonë se lëndët që janë kërkuar nga Prokuroria e Përgjithësime janë në përputhje me ligjin.
“Lëndët i kërkojmë me iniciativë të palëve të interesuara , ndërsa në afat prej tetë ditësh do të vlerësojmë nëse jemi kompetent për t’i trajtuar. Ligji i Prokurorisë Publike Speciale është i qartë, ne bëjmë vlerësimin e kompetencave dhe nuk ka shkak që lëndët që i kemi kërkuar të mos na i japin”,- thonë nga Prokuroria Speciale.
Prokuroria Publike kërkon nga Këshilli i Prokurorëve që të deklarohet nëse veprimet e theksuara janë veprime ligjore të prokurorit publik, i cili udhëheq me Prokurorinë Publike për ndjekje të veprave penale të ndërlidhura dhe të cilat dalin nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve. (Ersan Pajaziti, TVM2)
