Organizatat qytetare: Nuk ka kushte për zgjedhje më 24 prill

17.02.2016 16:34

Asociacioni qytetar “Most” vlerëson se në vend nuk ka kushte reale për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 24 prill, pasi nuk ka kohë të mjaftueshme për pastrimin e listës zgjedhore...

Nga “Most” u bëjnë thirrje partive politike të rishikojnë gjendjen në terren dhe të vendosin bashkërisht një datë tjetër për zgjedhje.

“Më 21 janar konstatuam 55 ditë vonesë me fillimin e pastrimit të listës zgjedhore. Sot, 27 ditë më vonë, konstatojmë 77 ditë vonesë me fillimin e këtij procesi. U apelojmë të gjithë partive politike të rishikojnë gjendjen në fjalë dhe në mënyrë objektive të vlerësojnë se a kanë kaluar ose jo këto 77 ditë kot pa bërë asgjë, çfarë është punuar brenda këtyre ditëve dhe të mbështesin KShZ–në fuqimisht të realizojë punën e saj historike, që pa presione të partive politike dhe të kohës të arrijë të pastrojë listën zgjedhore”- deklaroi kryetari i Asociacionit “Most”, Darko Aleksov.

Sipas OJQ-ve, ende vazhdojnë manipulimet dhe presionet ndaj administratës. Analizat nga projekti “Udhërrëfyesi drejt zgjedhjeve të lira dhe korrekte”, tregojnë se administrata përballet me presion për të përgatitur listat e votuesve dhe ka presione që të marrin pjesë në tubimet partiake. Ata kanë vëzhguar edhe punësimet e reja në administratë dhe pagesën e subvencioneve në këtë periudhë.

“Mendojmë se është shumë më rëndësi të vëzhgojmë procesin e transformimit të vendeve të reja të punës në administratën shtetërore para periudhës zgjedhore, duke marrë parasysh se akoma nuk dihet numri i tyre që kanë fituar vendim pune në kohë të pacaktuar dhe të atyre që presin për të marrë vendim”- tha Zllatko Tallevski nga QKR-Manastir.                                                     

“Agjencia për Mbështetje Financiare nuk po i publikon të gjitha të dhënat për pagesat e kryera të bujqve. Ata në të shumtën e rasteve janë me vonesë, në nivel vjetor dhe nuk japin mundësi për të bërë analiza të mirëfillta”- theksoi Vesna Andonova nga Qendra për Analiza Ekonomike.

Asociacioni qytetar “Most”, Qendra Kulturore e të Rinjve dhe Qendra për Analiza Ekonomike kërkuan që seancat e ardhshme të KShZ-së, që kanë të bëjnë me implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe me pastrimin e listës zgjedhore, të jenë të hapura për opinionin. (Rexhep Qamili, TVM2)