Maqedoni

21 vjet nga ligjërata e parë në UT, Ameti: Hap vizionar për arsimin sipëror shqip

17.02.2016 16:39

21 vjet kanë kaluar që nga koha kur shqiptarët e Maqedonisë ngritën zërin fuqishëm kundër atyre që ishin kundër universiteteve shqiptare këtu në Maqedoni...

Por, shqiptarët dhe dëshira për të mësuar në gjuhën amë ishin mbi të gjitha. Më 17 shkurt 1995 u mbajt ligjërata e parë e UT-së në fsh. Poroj dhe Reçicë e vogël.
 
UT përkujtoi këtë përvjetor me një akademi solemne dhe me homazhe tek varri i  dëshmorit, Abdylselam Emini, dhe rektorit të parë të UT-së, Fadil Sulejmani.
 
“Vendimi për themelimin e Universitetit të Tetovës më 17 dhjetor 1994 ishte një hap historik i strukturave vizionare të inteligjencies shqiptare në Maqedoni me objektiva të qarta për zgjidhjen e përhershme të  çështjes së  arsimit sipëror në gjuhën shqipe. Ligjëratat e para në këtë tempull të dritës dhe diturisë filluan më 17 shkurt 1995, edhe përkundër  faktit se u mobilizuan forca të armatosura për ta vrarë dijen, shkencën, përparimin dhe ardhmërinë e shqiptarëve”- deklaroi rektori i UT-së, Vullnet Ameti.
 
Ky universitet ka një dëshmor në themelet e tij, është gjaku i Abdilselam Eminit, para sakrificës së të cilit përkulemi me nderimet më të larta, ashtu si përkulemi para veprës së dëshmorëve të kombit, gjaku i të cilëve është bërë dritë dhe sot e ndriçon rrugën e diturisë sonë, potencoi më tej rektori i UT-së, Vullnet Ameti.
 
VISAR SADIKI