Kuvend, debat për mediat

17.02.2016 16:58

Pamundësia financiare e mediave për të mbijetuar në treg...

Pamundësia financiare e mediave për të mbijetuar në treg dhe gatishmëria e ekzekutivit për t’i korruptuar ato me reklama qeveritare janë arsyeja kyçe që mediat në vend që të informojnë po bëjnë propagandë në favor të partive politike dhe institucioneve.

Kjo ishte bindja që mbisundoi në debatin e organizuar nga Komisioni për çështje evropiane.

SELMANI: MEDIAT NUK INFORMOJNË, PROPAGANDOJNË

Sipas kryetarit të ShGM-së, Naser Selmanit, vetë fakti që në debatin e organizuar nga ky komision nuk morën pjesë shumë zyrtarë të ftuar, është  indikacion që tregon shpërfilljen që institucionet dhe partitë politike po i bëjnë lirisë së shprehjes. 

“Nëse nuk ndalohen reklamat qeveritare, ne këtu kot flasim, pasi Qeveria përmes tyre i mashtron qytetarët dhe ua lan trurin. Kot flasim ne këtu nëse ju deputetët e partive në pushtet nuk angazhoheni që të ndërpritet praktika e korruptimit të mediave përmes reklamave qeveritare”- deklaroi Naser Selmani nga ShGM.

Edhe Tamara Causidis nga Sindikata e të punësuarve në media ndan të njëjtin mendim. Për zgjidhjen e problemit ajo parasheh rregullim ligjor në harmoni me standardet evropiane, por jo siç propozon VMRO-DPMNE, kopjim të një ligji nga ndonjë vend anëtar i BE-së.

TALEVSKA: PORTALET TË REGJISTROHEN SI SUBJEKTE JURIDIKE

Ndërkaq, përfaqësuesja e Asociacionit të mediave, Ivona Talevska, vlerëson se duhet bërë edhe përfshirja e portaleve në ligj dhe akreditimi i gazetarëve të tyre.

“Ne kërkojmë që internet-portalet që merren me transmetimin e përmbajtjeve informative në harmoni me Ligjin për shërbime audio-vizuele të duhet të regjistrohen si subjekte juridike”- theksoi Ivona Talevska nga Asociacioni i mediave.

TOMOVSKA: VETËRREGULLIM NË MEDIA

Vetërregullim në media rekomandon ministrja për Shoqëri Informatike, Marta Arsovska Tomovska.

“Për të mbrojtur lirinë e shprehjes, pavarësinë redaktuese dhe gazetarinë profesionale duhet mbështetje dhe zhvillim të vetërregullimit efikas. Përkatësisht vetërregullim që do të jetë transparent, llogaridhënës, komplementar me ligjet vendore dhe i harmonizuar me rekomandimet dhe standardet evropiane”- u shpreh ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Marta Arsovska Tomovska.

Në ndërkohë, palët nënshkruese të Marrëveshjes politike të dy qershorit të vitit të kaluar vazhdojnë bisedimet rreth mënyrës së rregullimit të sferës mediatike në vend. Afati i fundit për dakordimin  e pakos së ligjeve që rregullojnë këtë fushë është 19 shkurti. (Shpëtim Nuredini, TVM2)