Botë

Festë dhe protesta në Kosovë, pushteti festoi 8 vjetorin e pavarësisë, opozita kërkoi dorëheqjen e qeverisë

17.02.2016 18:07

Republika e Kosovës festoi sot tetë vjetorin e shpalljes së Pavarësisë...

Pjesë e coremonisë së sotme ishte parakalimi i FSK-së dhe Policisë së Kosovës në qendër të Prishtinës, por edhe homazhe në qendrën memoriale të Jasharajve në Prekaz, homazhe te varri i presidentit të parë, Ibrahim Rugova, dhe homazhe te varrezat e dëshmorëve.
 
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në ceremoninë e parakalimit të Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës tha se është koha për të tejkaluar dallimet dhe për t’u bërë bashkë, për ta shkruar një kapitull të ri për Kosovën.
 
Por, pasdite në sheshin e Prishtinës parakaloi opozita, e cila me anë të një proteste, që përfundoi e qetë, kërkoi dorëheqjen e qeverisë, Mustafa Thaçit. Sipas opozitës, në protestë kishte mbi 100 mijë qytetarë.
 
Ndërsa policia doli me shifra shumë më të ulëta dhe njoftoi për pjesëmarrjen e rreth 15 mijë protestuesve. Por, të gjithë përfaqësuesit e opozitës, të cilët iu drejtuan masës, e akuzuan qeverinë Mustafa-Thaçi për korrupsion, për marrëveshje të dëmshme me demarkacionin dhe asociacionin, por theksuan edhe dështimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESKO dhe mosheqjen e vizave.
 
Kryeministri, Isa Mustafa, dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, në cilësinë e dy liderëve të koalicionit qeveritar në një press-konferencë pas protestës thanë se nuk mendojnë për dorëheqje dhe se janë të vendosur për të zgjedhur presidentin e ri të Kosovës dhe për të çuar mandatin deri në fund.
 
Brenda tetë vitesh pavarësi, diplomacia kosovare ka arritur të sigurojë 111 njohje, 53 prej të cilave ishin në vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Edhe sot, në tetë vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, Kosovën vazhdojnë të mos e njohin pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian: Sllovakia, Greqia, Qipro, Rumania dhe Spanja.
 
Por Serbia dhe Rusia mbeten vendet që kundërshtojnë zëshëm Pavarësinë e Kosovës. Kjo u dëshmua edhe gjatë procesit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ku ato arritën të pengojnë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. 
 
GYLTENE SINANI