Botë
Turqi, sulm i ri, 7 të vdekur, identifikohet kamikazi i sulmit në Ankara
18.02.2016 14:20
Sërish tension në Turqi. Të paktën 7 ushtarë kanë vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi që goditi një autokolonë ushtarake në juglindje të Turqisë...

Sërish tension në Turqi. Të paktën 7 ushtarë kanë vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi që goditi një autokolonë ushtarake në juglindje të Turqisë, në një autostradë që lidh Dijabarkirin me Bingolin.
Ky sulm i dytë vjen vetëm pak orë pas sulmit të mbrëmshëm në Ankara, gjatë të cilët mbetën të vdekur 28 persona dhe 61 të tjerë u lënduan. Autoritetet turke kanë arritur që të identifikojnë kamikazin që shkaktoi shpërthimin. Fjala është për Saleh Nejar, i cili i përket etnisë kurde dhe kishte hyrë në Turqi nga Siria.
Ai ishte anëtar i grupimit të njohur si “Njësitë e Mbrojtjes së Popullit”, i cili nga qeveria e Ankarasë konsiderohet si organizatë terroriste. Në këtë grupim bëjnë pjesë rebelë kurdë të cilët kërkojnë autonomi nga Turqia. Identifikimi i kamikazit u bë nëpërmjet shenjave të gishtërinjve, teksa raportohet se në pranga kanë përfunduar edhe nëntë persona të tjerë.
Situata është tensionuar së tepërmi edhe në rajonin jug-lindor të vendit, ku militantët kurdë protestojnë për autonominë e rajonit.
Në shenjë kundërpërgjigjeje, qeveria e Turqisë ka nisur sulmet ajrore ndaj grupeve kurde, të cilët kanë baza ushtarake në Siri dhe në Irak. Sipas njoftimeve zyrtare, bombardimet kanë pasur si qëllim goditjen e 70 militantëve.
Më herët, presidenti i vendit, Taip Erdogan, deklaroi se Ankaraja do të kërkojë hakmarrje për këdo që do të cenojë unitetin, sigurinë dhe të ardhmen e vendit.
GAZMEND KURTISHI
