Futboll
Europa League, “pikantet” e sfidave të së enjtes
18.02.2016 13:30
Rikthehet Europa League, me sfidat e para të 1/16 që do të pushtojnë këtë të enjte arenat e kontinentit të vjetër...

Rikthehet Europa League, me sfidat e para të 1/16 që do të pushtojnë këtë të enjte arenat e kontinentit të vjetër, të cilat ofrojnë edhe disa episode vërtet pikante.
Në Stamboll luhet Galatasaray -Lazio një sfidë që bën të takohen dy ish sulmues të Bajernit, golashënuesi më i mirë i Kombëtares Gjermane me 71 finalizime, Miroslav Klose mund të takohet me të tretin në këtë klasifikim, sulmuesin e Galatasaray, Lucas Podolski.
Dikur ishin shokë skuadre te Bajerni i Mynihut, por këtë herë me siguri që nuk do të kenë shumë mundësi për të folur për kohët e vjetra.
Një përplasje vërtet interesante do të jetë ajo e Dortmundit me verdhezinjtë e Tomas Tuchel që presin në gjendjen optimale Porton. Me Sven Bender pranë rikuperimit, Dortmundi ka një skuadër të plotë duke i ofruar Tuchel vetëm vështirësitë e përzgjedhjes.
Në Spanjë luhet Villarreal – Napoli. Gjithë diskutimet këtë sezon kanë qenë për sulmin e Napolit që kanë shënuar plot 22 gola në fazën e grupeve, por këtë herë në qendër të vëmendjes do të jetë portieri Pepe Reina, pasi rikthehet në stadiumin ku ka luajtur nga 2002-2005 si pjesë e “Nëndetëses së Verdhë”.
Në Marsejë-Athletic Bilbao Laporte ka hak për të marrë kundër skuadrës franceze.
Fiorentina – Tottenham i kujton Mauro Zarates sesa e cuditshme është jeta. Nëse do të kishte qëndruar te West Ham, Zarate do të përballej në kampionat me Tottenhamin në 2 mars, por me transferimin këtë dimër te Fiorentina ai do të përballet me rivalët e Londrës veriore në Firenze.
Një përballje luksi është padyshim ajo mes Shakhtar dhe Schalke. Alex Texiera shënoi 22 gola gjatë vjeshtës, por largimi i tij drejt Kinës pak ditë më parë e ka lënë Shakhtarin me një boshllëk të madh për të mbushur, me trajnerin Mircea Lucesku që i duhet të provojë se skuadra e tij mund të bëjë dhe pa golat e brazilianit.
Anderlehti i Besnik Hasit pret Olimpiakosin, për të gjithë shqiptarët është një përballje e vecantë vetëm për këtë arsye por për pjesën tjetër të Europës interesant është fakti se pasi ka lënë vetëm dy pikë në kampionat gjatë gjithë sezonit, skuadra greke mund të jetë shpallur matematikisht kampionë e Greqisë para përballjes së kthimit.
