Botë
Kriza e emigrantëve, Austria fillon aplikimin e kuotave ditore
18.02.2016 13:37
Ashtu sikurse edhe ishte paralajmëruar, Austria ka prezantuar kuotat ditore për emigrantët...

Prej nesër, në vend do të pranohen vetëm 80 kërkesa për azil në ditë. Por, kjo nuk do të thotë se Austria do të mbyllë dyert për refugjatët transitorë. Megjithatë, kufiri do të mund të kalohet nga një maksimum prej 3.200 refugjatësh në ditë.
Austria ka qenë rrugë më e përdorur e emigrantëve që kanë pasur si destinacion Gjermaninë.
“Austria është e detyruar që të aprovojë kuotat ditore në kushtet kur Bashkimi Evropian nuk ka arritur të gjejë zgjidhje për krizën e azilkërkuesve. Qeveria austriake ka pranuar rreth 90.000 kërkesa për azil në vitin 2015, gjë që përbën afro 1% të popullsisë sonë. Ky numër do të reduktohet në 37.500 gjatë këtij viti”- deklaroi ministrja e Brendshme e Austrisë, Johanna Mikl-Leitner.
Zyrtarët evropianë druhen se ky vendim mund të shkaktojë një efekt domino, nga i cili mund të preken të gjitha shtetet ballkanike, pasi shumë prej emigrantëve mund të mbeten të bllokuar.
Situata më problematike mbetet në Greqi, ku mijëra emigrantë presin me ditë të tëra për të kaluar kufirin me Maqedoninë.
Në prag të samitit të liderëve të BE-së, kancelarja gjermane, Angela Merkel, bëri thirrje që marrëveshja e firmosur me Turqinë, për të zvogëluar fluksin e emigrantëve, të zbatohet plotësisht.
BELINDA KOKA-ADEMI
