Maqedoni

Izairi: punohet në zgjidhjen e çështjes së ujit për pije

18.02.2016 14:51

Me mjete të siguruara nga BE dhe buxheti vendor po bëhen përpjekje që i tërë vendi të mbulohet me ujë për pije, bën të ditur ministri i Ambientit, Nurhan Izairi...

Ai njëherit paralajmëroi financimin e projektit rajonal për rajonin e Pollogut, por ai thotë se po punohet intensivisht për zgjidhjen e problemit për ujë të pijshëm në tërë vendin. 
 
“Sivjet do të fillojmë me financim të projektit rajonal për rajonin e Pollogut, që do të përfshijë fillimisht katër komuna, dhe pastaj do të bëhet zgjerimi. Ky është një projekt që do të kushtojë diku 10 milion euro, që do të përfshijë nga komuna e Vrapçishtit, komuna e Bërvenicës, Zhelinës, Bogovinës, me mundësi që të ngjitet edhe komuna e Jegunovskit dhe një pjesë edhe komuna e Tetovës të ketë mundësi të furnizohet nga ky ujësjellës”- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi.
 
Po ashtu, Izairi paralajmëroi edhe rregullimin e çështjes së pagesës dhe definimit të çmimit për unin i cili parashihet të jetë në kompetencë të komisionit rregullator, në bashkëpunim me organet komunale dhe ndërmarrjet e ujësjellësit.
 
Këtë prononcim ministri Izairi e bëri në punëtorinë kushtuar reformës në sistemin e ujësjellësit dhe mirëmbajtjes së ujërave në nivel lokal, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian. Udhëheqësi i sektorit për punë operative nga delegacioni i BE-së, Martin Klauke, tha se projekti do t’u mundësojë ndërmarrjeve komunale modernizimin e shërbimeve dhe investime shtesë me mbështetje të BE-së.
 
“BE ka tre projekte me të cilat do t’i mbështesë këto reforma me mjete prej 5.5 milion euro. Ky projekt është delikat më shumë palë të përfshira, në të cilin janë përfshirë 11 komuna dhe një spektër i gjerë i çështjeve teknike, financiare dhe institucionale që duhet zgjidhur”- tha përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në RM, Martin Klauke.
 
Projekti parashihet të ndihmojë reformimin e sistemit ekzistues të ndërmarrjeve publike në aspekt të organizimit, udhëheqjes, punës financiare dhe aspektet operative.
 
GYLTENE SINANI