Bashkimi Evropian, mjete financiare për projekte në RM
Bashkimi Evropian do të ofrojë mjete financiare për realizmin e projekteve në Maqedoni në fusha të ndryshme shoqërore.

Në kuadër të programit për periudhën 2014-2020, qytetarë, individë, por edhe organet qendrore dhe lokale mund të aplikojnë dhe shfrytëzojnë këto mjete të destinuara për Maqedoninë, si vend kandidat në BE.
“Në periudhën e deritashme 2007-2013 në paketin e parë janë shfrytëzuar rreth 21 milion euro apo rreth 800 projekte , mjete që kanë mundur të shfrytëzohen deri në vitin 2015. Në pakon e dytë 2014-2020, Maqedonia ka aplikuar për programe të ngjashme, horizont 20, 20, Erasmus plus, Cosme dhe projekte të tjera me të cilat mundësohet që qytetarë, studentë universitete, sektori civil, si dhe institucionet e nivelit lokal apo qendror të mund të shfrytëzojnë fonde të BE-së për projekte zhvillimore të cilat mendojnë t’i kenë”- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.
Sipas Besimit, 19% e mjeteve nuk janë shfrytëzuar për shkak të pamundësisë për t’i shfrytëzuar në kohë, por me rëndësi është se te qytetarët është ngritur vetëdija për shfrytëzimin e këtyre mjeteve. Ndihmësit e këtyre programeve apelojnë për shfrytëzim maksimal dhe racional të mjeteve që ndan BE-ja në programe të caktuara.
“Numri i shfrytëzuesve kohëve të fundit është rritur, gjë që është shumë pozitive, por mendojmë se mund të shfrytëzohen edhe më mirë dhe duam t’i inkurajojmë të gjithë që të aplikojnë me qëllim që t’i promovojnë programet e tyre”- tha përfaqësuesi i delegacionit të BE-së, Martin Clauke.
“Është shans për të gjithë dhe për shtetin që të jemi më afër BE-së. BE-ja është për qytetarët, akademikët, biznesmenët dhe për të gjithë ne që të punojmë së bashku në sfidat e përbashkëta”- theksoi përfaqësuesi i organizatës GIZ, Mihael Samec.
Sipas analizave, deri në kohën e koordinuar të programeve financiare të BE-së pritet që të shfrytëzohen mjetet deri në 80% nga shuma e përgjithshme e fondeve. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
