Vrasja e Leart Ademit, arrest shtëpiak për njërin nga të akuzuarit; familjarët: Të gjykohet në paraburgim
Gjykata Themelore Shkupi 1 ka vendosur që ta lërë në arrest shtëpiak Nedim Dërnjanin, i akuzuar për pjesëmarrjen në rrahjen që ndodhi më 3 janar në Shkup, e që përfundoi me vrasjen tragjike të 19 vjeçarit, Leart Ademi...

Gjykata Themelore Shkupi 1 ka vendosur që ta lërë në arrest shtëpiak Nedim Dërnjanin, i akuzuar për pjesëmarrjen në rrahjen që ndodhi më 3 janar në Shkup, e që përfundoi me vrasjen tragjike të 19 vjeçarit, Leart Ademi.
Kjo ka shkaktuar reagim të familjarëve të 19 vjeçarit të vrarë. Babi i Leartit, Sami Ademi, e quan absurd vendimin për të lënë në arrest shtëpiak një njeri i cili akuzohet se ka nxitur fatkeqësinë me pasojë fatale vrasjen.
Sipas tij, i akuzuari duhet të jetë pas grilave, e jo në shtëpi. Familjarët e Leartit të ndjerë dyshojnë se pas vendimit të gjykatës për ta lëshuar Dërnjanin në arrest shtëpiak në këtë fazë të gjykimit ka arsye të tjera, por në asnjë mënyrë, sipas tyre, ky nuk mund të jetë procedurë e drejtë.
“Akuza e personit në fjalë është nxitës i një fatkeqësie, e cila përfundoi fatalisht, pra me vdekjen e Leart Ademit, 19 vjet, 10 muaj e 18 ditë. Ndërsa në prokurori më thanë se nuk ka argumente, se ai i ka thënë shokut mbaje ose qëlloje me thikë. Nuk e di cilat janë argumentet më të mëdha, i thotë dikujt çka më shikon dhe është i armatosur... Djali im nuk ka pasur në xhepa asgjë”- deklaroi babai i viktimës, Sami Ademi.
Ai është i bindur se djalin më nuk ia kthen askush, por kërkon nga organet e rendit dhe prindërit e tjerë që të tregohen më syçelë e të ndikojnë tek fëmijët e tyre në kohë, që të mos përballen me situata të tilla, që asnjë prind nuk do t’ia dëshironte vetes. Ai kërkon vetëm që drejtësia për djalin e tij të vihet në vend, e fajtorët të marrin dënimin.
“Unë besoj se drejtësia nuk do ta bëjë këtë gabim fatal dhe fajtorëve do t’ua jep dënimin e merituar, që ne ta kemi shpirtin të qetë. Pasi që çdo lëshim apo anashkalim i drejtësisë do të ishte shtim i dhimbjes sime dhe të familjes. Personi, i cili për momentin është në arrest shtëpiak, jo në shtëpi të rrijë me prindërit e vet e unë të qaj tërë natën me bashkëshorten time”- tha Ademi.
Nëse nuk ndërmerret diçka më konkrete për kthimin e Nedim Dernjanit në paraburgim, Sami Ademi dhe familjarët e tij thonë se do të kërkojnë drejtësinë edhe në instanca më të lartë vendore dhe ndërkombëtare.
Përndryshe, i akuzuari tjetër 16 vjeçar, i cili ngarkohet me veprën penale vrasje, ndodhet në paraburgim. (Sanije Duraku, TVM2)
