Projekti “Ndërtojmë ura”, Ademi u apelon shkollave të aplikojnë për grande

18.02.2016 16:20

Nga një marsi fillon aplikimi për grande në projektin “Ndërtojmë ura”, projekt ky i Ministrisë së Arsimit, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës, Qeveria e Zvicrës dhe Irlandës dhe misioni i OSBE-së.

Ministri, Abdylaqim Ademi, u apeloi shkollave të aplikojnë sa më shpejt për shfrytëzimin e këtyre grandeve.

“Grandet, të cilat ndahen fondet, janë në vlerë prej 1500 eurosh, si grande të ashtuquajtura të shpejta, kurse grandet e rregullta në vlerë prej 7000 euro janë grande për të cilat mund të aplikohet tre herë në vit, ku afati i parë është më 1 mars, prandaj apeloj deri te të gjitha shkollat të shfrytëzojnë këtë mundësi. Gjithashtu dua të shtoj dhe për ata që deri tani nuk kanë aplikuar ose për ata që më herët kanë shfrytëzuar këto grande, por gjithashtu dhe për ata që për arsye të caktuar janë refuzuar”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.

Donatorët kanë si qëllim që të ndërtojnë ura mes komuniteteve, thanë të pranishmit nga organizatat që financojnë këtë projekt që nga viti 2014.

“Donatorët e të gjithë të invoilvuarit në këtë projekt kanë qëllimin e njëjtë në lidhje me këtë fond, të ndërtojnë ura. Punojmë pra për një komunikim dhe mirëkuptim më të madh nëpër shkolla, gjë që OSBE e vlerëson si kyçe për stabilitetin e shtetit tuaj”- tha Nina Solmanen nga OSBE.

“Unë shpresoj se në të ardhmen ky projekt do të transferohet në programin e rregullt arsimor në shkollat fillore dhe të mesme. Ne do të mbështesim miqësi të ndërtimit dhe pranimin e diversitetit, me një fjalë të ndërtojmë ura”- theksoi ambasadori i Holandës, Vilem Voulter Plomp.

Deri tani ky projekt është realizuar në 75 shkolla me përfshirje të drejtpërdrejtë të 2000 nxënësve. Projekti “Ndërtojmë ura” u mundëson fëmijëve të etniteteve të ndryshme që përmes aktiviteteve artistike apo sportive të njohin më mirë njëri-tjetrin. (Gazmend Rexhepi, TVM2)