Nafi Osmani i bashkohet Teteksit

18.02.2016 16:43

Futbollisti shkupjan, Nafi OSMANI, i cili së fundmi ishte pjesë e Skopjes karrierën e tij ka vendosur për ta vazhduar te skuadra e njohur tetovare e Teteksit...

Për shërbimet e 22-vjeçarit interesohej edhe EuroMilku, mirëpo si duket kushtet dhe ambiciet e klubit tetovarë në momentin e fundit bindën Osmanin për të pranuar ofertën e Teteksit, një ndër skuadratpretendente që vitin tjetër të rikthehet në elitën e futbollit vendor.

“Po, është e vërtetë  që kam nënshkruar kontratë me Teteksin. Kontrata ime është valide për 6 muaj me opcion që të njëjtën ta vazhdojmë, në rast se në fund të kampionatit i’a arrijmë qëllimit që të ngjitemi në elitën e futbollit vendor. Vërtetë jam shumë i kënaqur nga kushtet që mi ofruan drejteuesit e Teteksit, skuadër kjo e cila mund të them që me organizimin që ka brenda, është njëra ndër 5 skuadrat më preofesionale në vendin tonë” – tha Nafi Osmani në prononcimin e tij për infOSport.mk.

Falë paraqitjeve të tij të mira gjatë pjesës së parë të kampionatit me fanellën e Skopjes, Osmani kishte rënë në dy të dy skuadrave pretendente për Ligën e Parë, EuroMilkut dhe Teteksit. Osmani për infOSport.mk rrëfen se ishte shumë pranë transferimit te EuroMilku, madje drejtuesit e kësaj të fundit kishin bërë gati edhe fanellën e tij me nr.15, mirëpo që në moment të fundit u vendos për klubin tetovarë, drejtuesit e së cilës skuadër u tregua më konkret dhe më këmbëngulës për të parë atë te skuadra e tyre.

“Isha në bisedime edhe me EuroMilkun, një skuadër tjetër që gjithashtu pretendon për tu inkuadruar në Ligën e Parë. Edhe pse gjërat shkonin mirë, madje kishin bërë gati edhe fanellën me të cilën do luaja në sezonin pranveror, disa imtësira penguan nënshkrimin tim me këtë skuadër, gjë të cilën e shfrytëzuan drejtuesit e Teteksit që ishin më konkret në ofertën e tyre, e që në fund pa u hamendur fare e pranova të njëjtën” – deklaroi Osmani.

Nafi Osmani karrierën e tij futbollistike e kishte nisur te Vardari, te e cila skuadër kishte qëndruar deri në moshën 16-vjeçare, për të kaluar më pas te Rabotniçki, ku arriti që të depërtojë deri në ekipin e parë. Megjithatë duke kërkuar hapësirë më të madhe për të luajtur standard, ai u transferua te EuroMilku, ndërsa së fundmi ishte pjesë e Skopjes.

Ai te Teteksi do të rigjejë futbollistin shqiptarë Mensur Idrizin, me të cilin shpresojnë se në fund do i’a arrijnë qëllimit që me Teteksin vitin tjetër të luajnë në mesin e më të mirëve në vendin tonë.

Teteksi pjesën e parë të kampionatit e mbylli në pozitën e tretë me 22 pikë, vetëm dy më pak se Ljubanci dhe Makedonija Gjorçe Petrovi që ndodhen në dy pozitat e para.