Ahmeti për datën e zgjedhjeve: Nuk mund të ndryshohet pa konsensus
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, edhe një herë ka ripotencuar se data e zgjedhjeve mund të shtyhet vetëm me konsensus prej 4 partive nënshkruese të marrëveshjes së parë, e jo me vendime të ndara...

Ahmeti është takuar me ambasadorin amerikan, Bejli, ku një nga temat e takimit ishin edhe zgjedhjet e ardhshme.
"Me rëndësi është që marrëveshja e arritur nuk mund të cenohet pa pjesëmarrjen e të gjitha palëve dhe duhet konsensus, siç është arritur me konsensus, dhe nëse dikush mendon që duhet të ndryshohet, po ashtu me konsensus mund të ndryshohet”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kreu i BDI-së tha se institucionet e vendit gjatë kësaj kohe duhet me përkushtim, përgjegjësi dhe seriozitet më të madh të kryejnë detyrimet që kanë dalë nga Marrëveshja e Përzhinës.
“Mbetet detyrë dhe përgjegjësi e KShZ-së që me përkushtim të punojë për të krijuar një proces të besueshëm, kombëtar dhe ndërkombëtar, dhe të gjithë partitë politike të kryejnë detyrat e veta. Gjithashtu me rëndësi është ky proces të jetë i pranueshëm për të gjitha palët”- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti tha se BDI mbetet e përkushtuar që zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të organizohen të jenë të besueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët. (Rexhep Qamili, TVM2)
