Takohen Zaev dhe Kasami: Nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill
Pas takimit të dy kryetarëve të partive opozitare, “Besa” dhe LSDM, ata kanë dalë me një qëndrim të përbashkët rreth zgjedhjeve të parakohshme...

Pas takimit të dy kryetarëve të partive opozitare, “Besa” dhe LSDM, ata kanë dalë me një qëndrim të përbashkët rreth zgjedhjeve të parakohshme, të cilët theksuan se është veç më e qartë se nuk ka kushte për t’u mbajtur zgjedhjet më 24 prill, një konstatim të tillë ata presin që nesër të ketë edhe prej OSBE-ODIHR, Ambasadës së Amerikës dhe zyrës së BE-së.
“I përsëritëm qëndrimet se pse më 24 prill nuk mund dhe nuk duhet të ketë zgjedhje. Kushte për zgjedhje nuk ka. Është absolutisht e qartë se nesër do të shpallet ajo të cilën e dinë të gjithë, se nuk ka as kushte elementare për t’u mbajtur zgjedhje korrekte dhe demokratike në Maqedoni”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
“E përsëritëm qëndrimin e Lëvizjes “Besa” se, para se të bisedohet për datën e zgjedhjeve, më me rëndësi është nëse kemi kushte për zgjedhje fer, të lira e demokratike. Zgjedhje që do ishin të pranuara nga gjithë faktorët politik, zgjedhje të cilat do ta kthejnë besimin në sistemin demokratik në vend”- tha kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Lidhur me koalicionet e mundshme në mes këtyre subjekteve politike, liderët e LSDM-së dhe Lëvizjes “Besa” thanë se ende është herët për të marrë një vendim të tillë, por nuk përjashtojnë mundësinë e koalicionet në të ardhmen.
“Nuk biseduam për koalicione, ne biseduam sot për bashkëpunime të mundshme, shkëmbyem përvojat tona, por mendojmë se është ende herët për t’u biseduar për koalicion, por të gjitha mundësitë janë të hapura për në të ardhmen”- theksoi Zaev.
“Ende është herët, ne bisedojmë, kemi kontakte të afërta me të gjitha partitë e spektrit opozitar dhe punojmë në përgatitjet e ambientit politik, që të zgjidhen të gjitha problemet të cilat kanë të bëjnë me çështjet etnike, të stabilizohet shoqëria këtu në Maqedoni, që nesër të mos jetë problematike një koalicion i tillë i mundshëm” u shpreh Kasami.
Ndërsa i pyetur se çka nëse nuk respektohen vlerësimet e faktorit ndërkombëtar, Zaev tha se më nuk varen gjërat nga Gruevski dhe Ahmeti në Maqedoni, dhe të gjitha faktet do të jenë të detyruar t’i respektojnë.
Përveç zgjedhjeve, të dy bashkëbiseduesit kanë biseduar edhe për bashkëjetesën në vend, por edhe për largimin e të rinjve nga shteti. (Ersan Pajaziti, TVM2)
