Futsal Shkupi u eliminua nga Kupa
Ruleti i penaltive ishte i kobshëm për ekipin e Futsall Shkupi në ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës, pasi u mundën nga skuadra e Ciko-s. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me rezultatin 5:5, ndërsa pas ekzekutimit të penaltive mysafirët nga Gjevgjelia ishin më me fat duke shënuar 3 gola, kundrejt dy golave të vendasve, me ç’rast me rezultatin e përgjithshëm 7:8 iu gëzuan kualifikimit për në çerekfinale...

Klubi i futsallit, Shkupi i ka dhënë fund aventurës në Kupën e Maqedonisë, pasi mbrëmë u eliminua në kuadër të 1/8 së finales nga skuadra e Cikos, anëtare e Ligës së Dytë. Ruleti i penaltive vendosi fatin e “bardhekaltërve” nga Çairi, të cilët në këtë ndeshje u paraqitën me disa mungesa, siç ishin vëllezërit Arsim dhe Agron Fazlilja, si dhe portieri numër një i tyre, Berat Jakupi.
Megjithatë kjo nuk është arsyeja e kësaj disfate, pasi Shkupi në dy raste kishte epërsi komode ndaj Ciko-s, duke avansuar me rezultat 3:1 dhe 5:2, që në fund ndeshja të mbyllet me barazimin 5:5. Golin e 5-të mysafirët nga Gjevgjelia e shënuan në sekondat e fundit të ndeshjes, që më pas të ju buzëqesh fati në ruletin e penaltive, pasi ishin më të mirë duke shënuar fitore me rezultatin 2:3, dhe kësisoj me rezultatin e përgjithshëm 7:8 iu gëzuan kualifikimit për në çerekfinale.
Nikolla Dimovski njëjtë sikurse në ndeshjen paraprake kundër Hedisit në kampionat, realizoi dy gola, ndërsa nga një gol shënuan Erkan Seferi, Erhan Idrizi dhe Rexhep Sulejmani. Ky i fundit ishte i saktë edhe në goditjet nga pika e bardhë, njëjtë sikurse edhe Nikolla Dimovski, ndërsa futbollistët që nuk shënuan ishin Bejtulla Jakupi dhe Erkan Seferi. (futsalShkupi)
