Shkëndija shpalos planet dhe pritjet për sezonin pranveror

18.02.2016 19:41

Disa ditë para fillimit të gjysmëstinorit pranveror, Shkëndija në takim me gazetarë ka shpalosur pritjet dhe sfidat me të cilat përballet...

Endjet në terene të ndryshme dhe tentimet për destabilizim psikik nuk do të ndikojnë ekipin, pasi Shkëndija është e vendosur për të realizuar objektivat.

Shkëndija nuk ndryshon përcaktimin për të sulmuar titullin e kampionit dhe Kupën e Maqedonisë, pa marrë parasysh pengesat e natyrave të ndryshme që mund shfaqen në këtë rrugëtim. Kjo u tha në takimin e sotëm me gazetar, në fillimin e të cilit u prezantua marrëveshja me prodhuesin e veshjeve sportive ‘Macron’ dhe fanellat e reja zyrtare që ekipi do t’i përdorë në pranverë.

“Në emër të KF Shkëndija, simpatizuesve, tifozëve, grupit ‘Ballistët’ dhe gjithë dashamirëve të klubit dua publikisht të falënderoj sponsorin e vetëm dhe general të KF Shkëndija kompaninë Ecolog,  dhe pronarin z. Lazim Destani për krijmin e kushteve për funksionim dhe veprim të skuadrës në të gjitha aspektet. Shpresoj që keta djem që bënë këtë prezantim të bukur vizuel të veshjeve të reja, të bartin suksesin edhe në teren”, deklaroi në fillim presidenti i klubit, prof. dr. Abdylmenaf Bexheti.

Ndërkohë kapiteni Ferhan Hasani i pyetur për datën e rikthimit në teren, nuk ka pricizuar afat të saktë kohor, veçse shpreh optimizëm për rjedhën e fazës së rekuperimit.

“Nuk ka datë apo afat të caktuar kur mund të kthehem. Gjithçka shkon sipas planit dhe kur do të vijë koha klubi do të njoftojë publikisht se kur do të jem gati për lojë. Tash punoj sipas planprogramit të stafit teknik dhe ekipit mjekësor dhe dëshiroj dhe besoj të ndodhë sa më shpejtë”, u shpreh kapiteni, Ferhan Hasani.

Shkëndija ndërkohë ka vazhduar me seancat e rregullta stërvitore, duke zhvilluar përgatitjet përfundimtare para sfidës së xhiros së 19-të me Horizont Turnovën të dielën në Kërçovë. (kfshkendija.com)