Botë

Samiti i BE-së, kriza e refugjatëve dhe qëndrimi britanik në BE

19.02.2016 12:00

Krerët e shteteve, ose qeverive, të BE-së, gjatë samitit dyditor në Bruksel po diskutojnë dy çështjet kryesore...

Krerët e shteteve, ose qeverive, të BE-së, gjatë samitit dyditor në Bruksel po diskutojnë dy çështjet kryesore, rreth qëndrimit të Britanisë së Madhe në Union, si dhe çështjen tjetër, zgjidhjen evropiane për krizën e refugjatëve.

Ndryshe nga kryeministri britanik, Cameron, i cili thotë se gjithçka që do të vendosë do të jetë në interesin e shtetit britanik,  krerët e dy institucioneve të tjera të BE-së, Juncker dhe Schulz, u shfaqën më optimistë për arritjen e një marrëveshjeje.

Mbi çështjen e refugjatëve kreu i komisionit ishte më i prerë, duke kundërshtuar qëndrimin e vendeve të grupit  të “Vishegradit”, si Hungaria, Çekia, Polonia e Sllovakia, që kërkojnë mbylljen e kufijve.

Ndërsa komisioni insiston për shpërndarje të refugjatëve te të gjitha vendet anëtare, Austria ka rritur kontrollet në 13 pika kufitare me fqinjët e saj dhe ka caktuar kuotën ditore të pranimit për 3200 refugjatë dhe 80 azilkërkues në ditë, e jo më shumë se 37 500 refugjatë, në tërësi, përgjatë këtij viti.