Botë

Irak, dënim me vdekje për 40 persona për masakër

19.02.2016 12:30

Iraku ka dënuar me vdekje 40 persona për vrasjen e 1700 rekrutëve ushtarakë në një ish bazë amerikane në vitin 2014...

Masakra në kampin Speicher është kryer nga luftëtarët e “Shtetit Islamik” në kohën kur ka pushtuar të gjithë territorin e veriut të Irakut.

Masakra ndaj kadetëve kryesisht shiitë çoi në mobilizimin e milicive shiite të Irakut në luftën kundër “Shtetit Islamik”.

Shumë prej të dënuarve kanë apeluar vendimet teksa kritika ka pasur edhe nga grupet e të drejtave të njeriut. Organizata terroriste e “Shtetit Islamik” ka publikuar foto dhe video duke dokumentuar masakrën e vitit 2014.

Në imazhet e tmerrshme shfaqeshin ushtarët të shtrirë me fytyrën në tokë para se të qëlloheshin për vdekje.

Shumë varre masive u zbuluan nga forcat qeveritare irakiane kur rimorën nën kontroll zonën, duke përfshirë edhe qytetin e afërt të Tikrit, në vitin 2015.

Shumë prej tyre ankimuan vendimin me argumentin se nuk kanë qenë afër Tikrit në kohën e masakrës, kurse të tjerë thanë se janë detyruar të pranojnë krimin të detyruar nga torturat çnjerëzore.