Maqedoni
Dështojnë bisedimet, nuk u arrit marrëveshje për mediat
19.02.2016 12:34
Ndërmjetësi belg, Piter Vanhaute, mbrëmë konfirmoi se partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhines...

Ndërmjetësi belg, Piter Vanhaute, mbrëmë konfirmoi se partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhines nuk arritën marrëveshje lidhur me rregullimin e mediave.
I pyetur se kush është fajtor për dështimin e bisedimeve, Vanhate tha: meqë në bisedime kanë marrë pjesë katër partitë politike, atëherë përgjegjësia për mossuksesin është e përbashkët.
“Ju informoj se sonte nuk ka marrëveshje, jemi duke zhvilluar biseda intensive tashmë dy net me radhë dhe sonte duhet t'ju tregoj se nuk është arritur marrëveshje. Në negociata çdoherë përgjegjësia bie mbi partitë të cilat tentojnë të arrijnë marrëveshje, dhe nëse nuk ka marrëveshje edhe përgjegjësia është e përbashkët. Gjithsesi, njerëzit do të pyesin se kush ka përgjegjësinë më të madhe, mundem vetëm të jap një konkluzion se nuk ishte e mundur të arrihet marrëveshje”- deklaroi ndërmjetësuesi i bisedimeve, Piter Vanhaute.
Vanhaute ka shprehur dyshimin e tij që negociatat mund të vazhdojnë gjatë ditës së sotme, por nuk e përjashtoi mundësinë që bisedimet për reformat në media mund të vazhdojnë ditëve apo javëve në vijim.
“Ne gjithmonë shpresojmë që mund të ketë diskutime në çdo kohë, por dyshoj nëse do të vazhdojnë bisedimet nesër, por mbetem me shpresë se në ditët ose javët në vijim do ta kapim hapin dhe do të vazhdojmë dialogun për mediat”- tha Vanhaute.
I pyetur nëse pritet ndonjë vlerësim negativ nga ana e ndërkombëtarëve për shkak të mos arritjes së marrëveshjes për reformat në media, ai tha se çështja e mediave është njëra ndër çështjet kryesore në vlerësimin, i cili do të prezantohet nga ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve, për atë se a ka kushte për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill.
MERITA GASHI
