Botë

Ankara, identifikohet kamikazi që shkaktoi sulmin

19.02.2016 13:00

Autoritetet turke kanë arritur që të identifikojnë kamikazin që shkaktoi shpërthimin e Ankarasë...

Autoritetet turke kanë arritur që të identifikojnë kamikazin që shkaktoi shpërthimin e Ankarasë, në të cilin humbën jetën 28 persona, ndërkohë që 61 të tjerë mbetën të plagosur.

Ai është Saleh Nejar, i etnisë kurde, që kishte hyrë në Turqi nga Siria.

Ai ishte anëtar i grupimit të njohur si “Njësitë e mbrojtjes së popullit”, e cila nga Qeveria e Ankarasë konsiderohet si organizatë terroriste.

Në këtë grupim bëjnë pjesë rebelë kurdë të cilët kërkojnë autonomi nga Turqia. Identifikimi i kamikazit u bë nëpërmjet shenjave të gishtërinjve, teksa raportohet se në pranga kanë përfunduar edhe nëntë persona të tjerë.

Situata është tensionuar së tepërmi edhe në rajonin jug-lindor turk, ku militantët kurdë protestojnë për autonominë e rajonit. Sulmi tjetër, i cili goditi një autokolonë ushtarake, nuk jep të dhëna për pasojat dhe viktimat.

Në shenjë kundërpërgjigjeje, Qeveria e Turqisë ka nisur sulmet ajrore ndaj grupeve kurde, të cilat kanë baza ushtarake në Siri dhe në Irak. Sipas njoftimeve zyrtare, bombardimet kanë pasur si qëllim goditjen e 70 militantëve.